Arion Sulo: Politika kosovare e distancuar nga procesi në Hagë, duhet më shumë diplomaci

Analisti Arion Sulo ka kritikuar qëndrimin e politikës kosovare ndaj procesit gjyqësor në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar si “deficitare” dhe të distancuar.
Në emisionin “Trialog” në RTSH, ai theksoi se rrjedhojat e procesit në Hagë nuk janë të lehta dhe se ka nevojë për më shumë angazhim diplomatik.
“Politika kosovare është shumë deficitare. Kryeministri dhe qeveria e Albin Kurtit kanë mbajtur një distancë dhe as nuk e kanë fshehur problemin me Gjykatën Ndërkombëtare, duke thënë që ne e kemi kundërshtuar. Historia është se e kanë kundërshtuar, por kjo nuk do të thotë se ata tani duhet të jenë të distancuar. Kanë zgjedhur alibinë e tyre, vërtetë e ka kundërshtuar në 2014 kur u ngrit Gjykata Speciale. Por kjo nuk justifikon asgjë sot. Rrjedhojat e Hagës nuk janë kaq të lehta, duhet shumë aktivitet diplomatik, ndoshta më pak protesta kur gjyqi ka filluar dhe më shumë aktivitet diplomatik, partneritet me miqtë e vërtetë dhe ata që kanë rëndësi dhe vendosin që situata të ndryshojë. Gjykatësit kanë 3 muaj kohë, sepse ata po ndryshojnë historinë, po njollosin luftën, për pasojë Kosovën”, tha analisti Sulo.
/rtsh.al/