Arjan Konomi i drejtohet Linda Ramës: Trego emrin e kushëririt tënd që më goditi

Gazetari Arjan Konomi ka reaguar sërish pas dhunës që pretendon se është ushtruar ndaj tij nga persona që ai i lidh me të afërmit e Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Konomi i kërkon Linda Ramës të bëjë publik emrin e personit që, sipas tij, e ka goditur me grusht në bashkëpunim me persona të tjerë. Gazetari pretendon se bëhet fjalë për një kushëri të saj nga zona e Krujës.
Konomi u ka kërkuar gjithashtu qytetarëve që ta ndihmojnë në identifikimin e personit, duke pretenduar se policia nuk ka arritur ta gjejë, megjithëse, sipas tij, ka të dhëna për identitetin dhe lokalin që ai zotëron në zonën e 21 Dhjetorit në Tiranë.
Në fund të reagimit, gazetari i drejtohet me ironi Linda Ramës, duke shkruar: “Dërgo dhe çunat e tezes të godasin herës tjetër, se me këta të dajës të shkoi huq!”
Statusi i plotë i Arjan Konomit:
I lutem me nder Linda Ramës të tregojë emrin e kushëririt të saj, djalit të dajë Shabanit dhe Zogëzës, nga zona e Krujës, që erdhi me të tjerë si i pabesë dhe qëlloi me grusht, pastaj më uli në tavolinë për të pirë dhe u ngrit e goditi prapë. Sa pabesi që s’e ka në gjak shqiptari.
Sponsorizuar
Sepse policia nuk po e gjen dot. Dhe është normale. Duhet të dalë ditën dhe natën të rrahë studentë dhe adoleshentë.
Edhe pse u paraqit si vëllai i Muharrem Shetës, personi që më kërcënoi para disa javësh në telefon, dhe policia ka të dhënat e tij dhe lokalin që ai ka në pronësi te 21 Dhjetori, përballë Inxhinierisë së Ndërtimit, nuk e gjen. Policia e ka të pamundur!
Kush ka dijeni për emrin apo foto të tij, ju lutem të ma nisë në DM. Ju garantoj anonimitetin!
Ah! Edhe një gjë tjetër Linda! Dërgo dhe çunat e tezes të godasin herës tjetër, se me këta të dajës të shkoi huq!