E Martë, 3 Nëntor 2026

Arktiku i Rusisë- Nëna e Navalnit shkon në burg për të marrë trupin, Kremlini nuk ia jep

Për nënën e Aleksei Navalnit (Alexei Navalny), liderit të opozitës ruse, i cili vdiq në moshën 47-vjeçare në një burg në Arktik, udhëtimi për të rimarrë trupin e djalit të saj të shtunën ishte një odise pa adresë të qartë.

Në fund, ajo nuk e mori atë për të cilën shkoi.

“Ludmila Navalni, 69 vjeçe, mori një letër zyrtare të shtunën ku thuhej se politikani kishte vdekur në burg në orën 14:17 me orën lokale një ditë më pare”, tha të shtunën Kira Yarmysh, zëdhënësja e Navalnit.

Së bashku me anëtarët e ekipit ligjor të Navalnit, Ludmila udhëtoi për në qytetin Kharp në rajonin Yamalo-Nenets, rreth 1,900 kilometra, në verilindje të Moskës.

Pikërisht aty Shërbimi Federal i Ndëshkimit të Rusisë i tha të premten se Navalni nuk u ndje mirë pas një shëtitjeje dhe ra pa ndjenja. Kur Ludmila mbërriti më pak se 24 orë më vonë nga njoftimi, zyrtarët i thanë se djali i saj kishte vdekur nga “sindroma e vdekjes së papritur”, tha Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny. Ai nuk dha detaje.

Vdekja e Navalny-t largoi politikanin më të njohur dhe frymëzues të opozitës ruse më pak se një muaj para zgjedhjeve që do t’i japin presidentit Vladimir Putin edhe gjashtë vjet në pushtet.

Punonjësit e burgut i thanë nënës së Navalnit të shtunën se nuk e kishin trupin e djalit të saj. Ata thanë se ai ishte dërguar në qytetin e afërt të Salekhard, pak më shumë se një orë me makinë larg, si pjesë e një hetimi për vdekjen e tij.

“Kur Ludmila mbërriti në qytet me një nga avokatët e Navalnit, ata zbuluan se morgu ishte i mbyllur”, shkroi ekipi i Navalnit në kanalin e tyre Telegram.

Kur avokati kërkoi të hapej morgu, i thanë se trupi i politikanit nuk ishte aty.

Këtë herë, Ludmila u drejtua drejtpërdrejt në zyrën e Komitetit Hetues të Salekhard. Një grup i vogël gazetarësh po e shikonin teksa Ludmila po ecte drejt zyrës, e veshur me një pallto të zezë të trashë, ndërsa temperaturat shkonte afër minus 25 gradë celsius. Herë pas here, ajo mbahej në krahun e njërit prej atyre që ecte pranë saj, ndërsa grupi bënte rrugën përgjatë shtigjeve të mbushura me grumbuj të dendur dëbore.

Këtu, asaj iu tha se shkaku i vdekjes së djalit të saj, në fakt, ende nuk ishte përcaktuar, tha zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh. Zyrtarët i thanë Ludmilës se të afërmit e politikanit nuk do ta merrnin trupin e tij derisa të kishin përfunduar ekzaminimet shtesë.

Fillimisht, dukej sikur Ludmila mund të shkonte në një morg tjetër. Në vend të kësaj, ajo u kthye në hotelin e saj në qytetin e Labytnangi, 30 minuta larg me makinë.

Ndërkohë, ekipi i Navalny tha se nuk ishin akoma afër zbulimit se ku po mbahej trupi i politikanit.

“Është e qartë se ata gënjejnë dhe po bëjnë gjithçka që munden për të shmangur dorëzimin e trupit”, shkroi Yarmysh në X, i njohur më parë si Twitter, pas vizitës së Ludmila në zyrën e Komitetit Hetues.

Zëdhënësi tha gjithashtu se ekipi i Navalnit “kërkon që trupi i Alexei Navalnit t’i dorëzohet menjëherë familjes së tij”.

Navalny, i cili ishte dënuar me 19 vite burg, që nga janari 2021, ishte dënuar tre herë për ekstremizëm. Ai ka folur disa herë se mund të vdiste ndërsa ishte në paraburgim.

Pas vendimit të fundit, për të cilin Navalni besonte se ishte i motivuar politikisht, ai tha se e kuptonte se po “vuante një dënim të përjetshëm, i cili matet me kohëzgjatjen e jetës sime ose jetëgjatësinë e këtij regjimi”.

AP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›