Arlind Nora rrëfen një Peqin tjetër“Këtu njerëzit e kanë zemrën e madhe dhe respektojnë jabanxhinjtë në maksimum”. Në të kaluarën sulmuesi ka thënë se nuk do shkelë kurrë në këtë qytet

Jorgis MEMO- Shumë shpejt ka hyrë në zemrën e tifozëve të Shkumbinit, edhe pse dikur për ta është shprehur keq. “Nuk shkel më kurrë në Peqin”. Kështu ka thënë sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, në vitin 2006, kur ishte pjesë e Luftëtarit. Tashmë, ai ka dy vjet që aktivizohet me Shkumbinin, pas një eksperience të shkurtër te Vllaznia, por të bukur në ndeshjet e Kupës Intertoto, ku dy golat që shënoi kundër Zagrebit, i dhanë kualifikimin shkodranëve. Në një intervistë ndryshe, Nora rrëfehet për “ëndrrën” që po kalon tek ekipi bardhekaltër, që këtë sezon po ecën shumë mirë, duke pretenduar majat. Për “Panorama Sport”, 28-vjeçari gjithashtu, tregon për ambientin që ka gjetur në qytetin e vogël, njerëzit aty, surprizat që i kanë bërë, por jo vetëm. “Është vendi ku jabanxhinjtë respektohen në maksimum”, thotë ndër të tjera ai.
Keni dy vjet që luani me Shkumbinin. Jeni bërë ndonjëherë pishman që nënshkruat për këtë ekip?
Jo, përkundrazi jam shumë i lumtur këtu në Peqin.
Na fol pak për ambientin që keni gjetur në fillim?
Në fillim e pata pak të vështirë, por më pas u ambientova shpejt, sepse edhe tifozët më mbështetën. Kam gjetur një ambient mjaft të ngrohtë dhe shumë sportdashës. U përshtata shpejt, sepse vetë njerëzit në Peqin më pritën shumë mirë. Kjo ka të bëj shumë për një futbollist.
Ka pasur një moment, të cilin nuk do ta harronit kurrë?
Po. Kur erdhi në jetë vajza ime. Për fat të mirë, atë ditë, (20 mars 2008) bëhet fjalë për sezonin e kaluar, unë shënova kundër Vllaznisë. Më pas, festova lindjen e vajzës me të gjithë shokët, që erdhën me mua.
Te Shkumbini ka shumë lojtarë nga qytete të tjera. Ka pasur shenja xhelozie nga futbollistët vendës?
Te Shkumbini nuk ka xhelozi, por vetëm “luftë” për të fituar. Kushdo futbollist që luan, jep më të mirën. Unë përgjithësisht kudo që kam luajtur, kam kaluar mirë me të gjithë, duke futur këtu edhe drejtuesit e klubeve.
Por me cilët futbollistë shoqëroheni më shumë?
Këtu në Peqin, miqtë e mi më të afërt janë, Pashja dhe Salliu. Por gjithashtu, me të gjithë çunat e tjerë shoqërohem. Po përmend këtu Dervishin, Rizvanollin, Gjatën etj. Përveç tyre, natyrisht edhe me patriotët që kam nga Gjirokastra, Shametin dhe Shenajn.
Cili ka qenë komplimenti më i bukur që ju kanë bërë në Peqin?
Komplimentin më të bukur ma bën pronari i restorantit, ku unë çdo ditë drekoj dhe darkoj. Zoti Karina më thotë: “Ti je si ‘ujk’, që e shqyen edhe topin, edhe mishin.
Natyrisht, jo çdo tifoz peqinas mund të sillet mirë me ty. Nëse ka pasur ndonjë rast, mund të na thoni fyerjen më të rëndë që ju kanë bërë?
Nga tifozët peqinas nuk kam marrë asnjë fyerje, por mund të them se fyerja që më bezdis më shumë është ajo e tifozëve të Partizanit: “Leonora”.
Diçka për qytetin dhe si e kalon kohën e lirë aty?
Qytet i vogël, por me njerëz që kanë një zemër të madhe. Peqinasit i respektojnë jabanxhinjtë në maksimum. Ndërsa për kohën e lirë, mund të them se e kaloj, duke u ushtruar në palestër, dy-tri herë në javë, në kafe dhe duke luajtur pingpong me doktorin e ekipit. Por natyrisht që një pjesë të mirë të kohës e zë edhe interneti. Këtë sezon Shkumbini pretendon UEFA-n.
Cili ka qenë sekreti i ekipit, për këtë ecuri kaq të mirë, teksa ka surprizuar edhe jashtë fushe?
Nuk ka sekret këtu. Thjesht, jemi një grup shumë i mirë lojtarësh, ku të gjithë mundohemi të japim maksimumin për skuadrën. Pra, ky Shkumbin ka shpirt gare dhe karakter të fortë. Edhe pse jemi afër objektivit, mendoj se duhet një përqendrim i madh deri ditën e fundit të sezonit. Ka edhe shumë ndeshje, kështu që po të “luftojmë” me këdo si të barabartë, do të kemi patjetër sukses.
NORA
për Dashnor Sulën...
“Është tifoz i zjarrtë i futbollit dhe i ekipit të Shkumbinit. Ai jep zemrën për Peqinin. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Mund të them se pa të, Shkumbini nuk do të ishte në këto nivele”.
për Xhavit Ismailin...
“Është njeriu më korrekt që kam parë në botën e sportit. Na përkrah si djemtë e tij. Ka meritën më të madhe në ecurinë e Shkumbinit. Mërzitet shumë kur humbasim, sepse e ndien sportin”.
për Gugash Maganin...
“Këtë sezon ka krijuar një grup lojtarësh punëtorë, të cilët japin zemrën në fushë. Kam respekt për mënyrën sesi Gashi na stërvit. Është njeriu, që vështirë ta gjesh pa u marrë me sportin. Është i ‘çmendur’ për futbollin dhe literaturën”.
për tifozët peqinas...
“Dikur mendoja keq për ta, por tani që jetoj këtu, i marr të gjitha pas. Ata japin gjithçka që Shkumbini i tyre të shkojë larg, duke na mbështetur pafundësisht. Tani për mua dhe tifozët është momenti më i bukur, sepse jemi shumë afër realizimit të një ëndrre. I falënderoj shumë për respektin ndaj meje”.
5 skuadra
ka luajtur Nora në kampionatin shqiptar. E ka nisur me Luftëtarin, më pas u aktivizua te Lushnja për tri sezone, ndërsa në vitin 2006 u shpall kampion me Elbasanin. Vllaznia është ekipi i fundit para se të kalonte te Shkumbini.
6 gola
ka shënuar në këtë kampionat me Shkumbinin. I pari në ndeshjen hapëse të kampionatit me Bylisin. Pesë golat e tjerë që ka realizuar, rezultuan vendimtarë për Shkumbinin, sidomos ai jashtë fushe ndaj Apolonisë.
29 vjeç
mbush më 4 korrik, Arlind Nora. Prej dy vitesh është i martuar me Klismandën, me të cilën ka një vajzë. Nikol është 1-vjeç dhe numrin 20 në fanellë, sulmuesi e mban për shkak të ditëlindjes së vajzës në këtë datë.
Kulmi dhe rënia
Pas tri vitesh me Lushnjën, ku ishte lideri i ekipit, karriera e Arlind Norës ka ardhur në ngritje. Kulmi i tij është me Elbasanin në sezonin 2005-2006, kur u shpall kampion dhe ishte titullar i padiskutueshëm i verdhebluve. Më pas, kaloi te skuadra e tij e zemrës, Luftëtari, ku për një sezon gjithçka shkoi keq, sepse u dëmtua dhe nuk luajti për një kohë të gjatë. Ndërkohë, një periudhë mjaft të bukur, biondi gjirokastrit e kaloi me Vllazninë, kur u bë hero pas dy golave në Kupën Intertoto, kundër kroatëve të NK Zagreb.
E Enjte, 26 Mars 2009