E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armando Vajushi, ftesë nga Espaniol

Nga Gasper MARKU- I cilësuar si një nga talentet më të spikatur të futbollit shqiptar, bjondi shtatshkurtër i Vllaznisë Armando Vajushi është bërë objekt i shumë komenteve në opinionin futbollistik shqiptar e më gjërë. Falë vlerave të shfaqura në fushën e lojës 19 vjeçari i dalë nga ekipet e Akademisë së Futbollit Vllaznia u shpallë lojtari më i mirë i vitit 2010 në Shqipëri ndër të rinjtë. Kjo ka bërë që drejtim të tij të mbërrijnë shumë shpejt ofertat përkatëse nga skuadrat potente të kampionatit shqiptar e më gjërë.

Në ditët e merkatos dimërore, pati sinjale jo të pakta nga skuadra bardheblu e Tiranës, ku presidenti i saj Refik Halili pati ofruar një ofertë lakmuese për ta marrë tek Tirana, por për momentin pengesë është bërë klubi mëmë Vllaznia që e ka nën kontratë edhe për dy vite në vazhdim. Ndonëse publikisht nuk është pranuar një fakt i tillë, burime të sigurta pranë lojtarit në fjalë bëjnë të ditur se gjithçka është mëse e vertete në këtë mes, madje mes krerëve të klubeve ka patur edhe bisedime paraprake në këtë drejtim, që në vazhdim për arsye të ndryshme nuk u vazhdua për më tej.

Ndërkohë, po nga burime shumë të sigurta pranë mesfushorit sulmues Vajushi bëjnë të ditur se me kërkesë të klubit Espanjol të Barcelonës, ai shumë shpejt pritet të largohet nga Shqipëria për të bërë një testim së bashku me disa talente të tjerë të kësaj kategorie moshe nga kampionatet e tjera europiane. Nga të njëjtat burime citohet se për këtë lëvizje është i interesuar drejtpërdrejt ish trajneri i Vllaznisë, malazezi Mojash Radonjiç.

Për hirë të së vertetes, tekniku i ardhur nga Mali i Zi, që në ditët e para të marrjes së detyrës në krye të Vllaznisë pati shprehur hapur preferencat e tij ndaj Vajushit, dhe së bashku me të edhe të një grupi të rinësh të talentuar të dalë nga Akademia e kuqebluve, gjë që është shprehur dukshëm edhe në aktivizimin e tyre si titullar në të gjitha ndeshjet e periudhës “Radonjiç”.

Madje, ish tekniku i pankinës shkodrane, edhe pasi është larguar nga drejtimi i Vllaznisë, ai ka vijuar ta ndjekë nga afër Vajushin, në të gjitha ndeshjet, brenda dhe jashtë Shkodre, por tashmë me cilësinë e një menaxheri që interesohet për klientin e tij. Siç mësohet, Radonjiç ka planifikuar të udhëtojë së bashku me Vajushin shumë shpejt drejt Turqisë, atje ku do të jetë stacioni i parë me përfaqësuesit e klubit Espaniol. Gjithnjë nga informacionet e marra pranë lojtarit në fjalë, së bashku me Vajushin, i cili është i vetmi nga kampionati shqiptar, në këtë zbor testues përpara përfaqësuesve të klubit spanjoll do të jenë edhe pesë futbollistë të tjerë të kësaj moshe nga disa vende të tjera europiane, të cilët nëse do të marrim vlerësimet e duhura do të nisin procedurat për transfertat e tyre në klubin Espaniol.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Merkure, 02 Shkurt 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›