E Hënë, 2 Nëntor 2026

Armani përcillet me një ceremoni private mortore

RIVALTA,  8 shtator /ATSH / – Familjarë dhe miq të ngushtë u mblodhën sot  në një ceremoni private mortore për Giorgio Armanin, stilistin legjendar italian që ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 91-vjeçare.

Armani do të prehet pranë prindërve dhe vëllait të madh në një kapelë familjare në Rivalta, një fshat rreth 100 km në juglindje të Milanos, pranë qytetit ku ai lindi, Piacenza.

Në shenjë respekti, dyqanet Armani do të qëndrojnë të mbyllura pasdite.

“Do t’i themi lamtumirë si familje dhe më pas do të ecim përpara ashtu siç ai do të kishte dashur. Çdo gjë është gati për ta kujtuar me modën e tij”, u shpreh partneri i tij, Pantaleo Dell’Orco, sipas gazetës “Corriere della Sera”.

Deri në ditën e vdekjes, Armani ishte duke punuar për një ekspozitë retrospektive dhe një sfilatë mode për të festuar 50-vjetorin e aktivitetit, gjatë Javës së Modës në Milano në fund të shtatorit. Kompania e tij deri tani nuk ka njoftuar ndryshime në program.

Vdekja e stilistit u njoftun të enjten, duke shkaktuar një valë pikëllimi ndërkombëtar, me homazhe nga yje të Hollivudit, kampionë sporti, liderë të biznesit e politikës, si dhe njerëz të thjeshtë.

Gjatë fundjavës, mijëra vetë shkuan të nderojnë atë që njihej si “Re Giorgio”, ndërsa arkivoli i tij prej druri, i zbukuruar me trëndafila të bardhë, u vendos për homazhe në selinë e Armanit në Milano.

“Jam shumë e trishtuar, sepse ai ishte një njeri me shumë stil, i cili natyrisht la një gjurmë të pashlyeshme. Po humbasim vërtet një talent të madh, një talent të vërtetë të madh”, tha sot  Alessandra Torchio, banore e Milanos.

Armani ndërroi jetë pas një karriere pesëdekadëshe, gjatë së cilës ndërtoi një perandori biznesi që shtrihej nga haute couture deri te arredimi i shtëpisë, duke e bërë emrin e tij sinonim të thjeshtësisë elegante.

Ai nuk pati fëmijë, por punoi gjithnjë me një grup të besuar familjarësh dhe bashkëpunëtorësh afatgjatë, të cilët pritet të vazhdojnë të drejtojnë biznesin mbi të cilin ai ushtronte kontroll të plotë.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›