E Diel, 1 Nëntor 2026

Armenia triumfon në Junior Eurovision 2026, Shqipëria merr 62 pikë duke u vlerësuar nga juritë profesioniste si dhe publiku

Armenia ka triumfuar në Junior Eurovision Song Contest 2026, festivali evropian i këngës për fëmijë, i cili u zhvillua në Maltë dhe u transmetua drejtpërdrejt në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1. Festivali solli në skenë 16 këngëtarë nga po aq vende, mes tyre edhe përfaqësuesen e Shqipërisë, Eslin Kurti.

Pas votimit të shteteve pjesëmarrëse, jurive profesioniste dhe publikut, Armenia u shpall fituese e këtij edicioni. Ndërkohë, Shqipëria u vlerësua me 62 pikë, duke marrë mbështetje si nga juritë profesioniste, ashtu edhe nga publiku. Ndër vlerësimet më të spikatura ishte ai i jurisë së San Marinos, e cila i dha Shqipërisë 12 pikët maksimale.

Kompeticioni më i rëndësishëm evropian i këngës për fëmijë mirëpriti 16 artistët e vegjël, të cilët dhuruan emocione të veçanta në një skenë ndërkombëtare. Për shumë prej tyre, kjo ishte një përvojë e rëndësishme, duke interpretuar përpara një publiku të gjerë dhe në një skenë të një dimensioni krejt tjetër nga ai ku kishin performuar më parë.

Shqipëria u përfaqësua nga artistja Eslin Kurti me këngën “Kërce me mua”, duke sjellë në skenën evropiane talentin, ritmin, gëzimin dhe energjinë e muzikës shqiptare. Me një performancë plot shkëlqim, Eslin përcolli emocione pozitive dhe gjallëri, duke përfaqësuar Shqipërinë në këtë kompeticion të rëndësishëm muzikor.

/RTSH/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›