Motra e Erjon Vishkullit tha se shpenzimet e operacionit do t’i mbulojë familja dhe miqtë, reagon sërish Rama: Iniciativën e kam marrë unë personalisht
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me dërgimin në Itali për trajtim të specializuar të Erjon Vishkullit, protestuesit të plagosur në sy me plumb gome gjatë protestës studentore në Tiranë, pas deklaratës së motrës së tij se shpenzimet po mbulohen nga familja dhe miqtë, dhe jo nga shteti, siç pretendon kreu i Qeverisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama ka këmbëngulur se nisma për trajtimin mjekësor të të riut në Itali është marrë personalisht prej tij dhe se transporti me avion mjekësor, si dhe shpenzimet përkatëse, janë mbuluar nga shteti.
“Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, po e kam marrë unë personalisht dhe vajtja e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve, janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!”, shkruan kryeministri.
Rama pretendon gjithashtu se e ka takuar dhe i ka uruar shërim të shpejtë Vishkullit përpara nisjes së tij drejt Italisë, në sallën VIP të aeroportit të Tiranës.
Reagimi i plotë i Edi Ramës: Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.
Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.
Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar
Erjon Vishkulli u plagos në sy me plumb gome nga Policia gjatë protestës së djeshme studentore në Tiranë dhe, pas marrjes së ndërhyrjes së parë në Spitalin e Traumës, u nis drejt Italisë për trajtim të specializuar.