E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armët e Skënderbeut vizitohen nga 120 mijë shqiptarë në 10 ditë (FOTO)

Tiranë- Më 28 Nëntor, Muzeu Historik Kombëtar i ka pasur të hapura dyert për 24 orë me radhë e përgjatë gjithë natës, ata që zgjodhën të festojnë në kryeqytetin e shqiptarëve Ditën e Flamurit, kanë viziutar armët dhe përkrenaren e Skënderbeut.

Në muze na tregojnë se deri në orën 4.00 të mëngjesit të 29 Nëntorit, ka pasur fluks vizitorësh sepse me gjasë të gjitha rrugët të çojnë te këto objekte. Fluks i cili më pas rifilloi në orët e paradites.

Burime pranë Muzeut Historik informojnë se deri më tani janë mëse 120 mijë shqiptarët dhe të huajt që kanë parë reliket e heroit tonë kombëtar prej ditës së ekspozimit, numër i cili rritet çdo minutë që shkon dhe në asnjë moment të ditës nuk mungojnë radhët për t’i parë objektet unike.

Armët e Skënderbeut

I shoqëruar nga Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, për të vizituar këtë ekspozitë të rrallë për shqiptarët, ishte Drejtori i Fondit Amerikan të Zhvillimit, Majkëll Granov, një ndër institucionet që bënë të mundur sjelljen në vendin tonë të këtyre objekteve që për të parën herë dolën nga muzeu i Vienës prej kohës kur u bënë pjesë e fondit të tij.

Përkrenarja e heroit tonë kombëtar

Ministri Bumçi vuri theksin në ndihmën e madhe të dhënë nga ky institucion për sjelljen në Tiranë të armëve të Skënderbeut. “Kjo ekspozitë është shndërruar në vend pelegrinazhi por nuk do të ishte e mundur që shqiptarët t’i shihnin armët pa ndihmën e këtyre njerëzve për të cilët vendimmarrja nuk ka qenë e lehtë”-tha Bumçi.

Vizitorë të shumtë në Muzeun Kombëtar

Z. Granov nga ana tjetër thotë se ndjen lumturi teksa sheh këta njerëz që rendin për t’i parë objektet e rralla.

“Kjo ekspozitë nisi me një ide dhe ndodh që idetë e mëdha të kthehen edhe në realitet, njësoj siç ndodhi me sjelljen e këtyre objekteve kaq të rëndësishme për historinë tuaj sepse këto janë armët e lirisë. Është bukur që ato mundën të ishin këtu për të festuar 100 vjet pavarësi të vendit. Ndjej kënaqësi e jashtëzakonshme të shoh gjithë këta njerëz që janë këtu, që qëndrojnë në radhë jashtë dhe brenda muzeut për të parë armët e lirisë. Një tjetër leksion i kësaj ekspozite është se kur kërkohet me ngulm për t’u bërë diçka, ajo thjesht bëhet. Kjo ekspozitë nuk do të ishte hapur kurrë pa punën e madhe dhe bashkëpunimin e shumë njerëzve për një qëllim të vetëm”,-tha Z.Granov.

Reliket e Skënderbeut

Autoritetet shqiptare menduan që hyrja të jetë e lirë për të parë ekspozitën e armëve të Skënderbeut dhe ajo është e hapur çdo ditë, nga ora  10.00 e mëngjesit deri në orën 17.00.

Interes i lartë për të parë reliket e heroit

Dy shpatat e Skënderbeut, njëra luftarake në të cilën ende dallohen gjurmët e gjakut dhe tjetra ceremoniale, përkrenarja, gravura dhe kodeksi i të dhënave të jetës së Skënderbeut do të qëndrojnë të të ekspozuara në Muzeun Kombëtar në Tiranë deri në ditët e para të muajit janar.

Armët e Skendërbeut në Muzeun Kombëtar

Anisa Ymeri 

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›