E Diel, 1 Nëntor 2026

Armiqësia mes biznesit dhe qytetarëve vazhdon

Gazeta Shqip

Marigleta HYSO

Dëgjuam së afërmi të flitet për një konflikt të zgjeruar me pasoja të rënda mes biznesit dhe banorëve të një zone të Shqipërisë. Askush nuk u habit për humbjen e një jete në mes të këtij konflikti, askush nuk u shokua prej sasisë së tritolit në hyrjen e një uzine. Madje as media nuk u preokupua shumë për këtë problem! Habia më e madhe ishte indiferenca e secilit prej nesh. Na u duk sikur ky krim ishte thjesht një krim nga ato të zakonshmit që shoqërojnqë jetët tona çdo mëngjes kur zgjohemi bashkë me lajmet e ditës Aty ku vëllai vret motrën, bashkëshorti bashkëshorten, aty ku fëmijët bëhen dëshmitarë të skenave monstruoze të pamëshirshme të krimeve familjare. Madje as këto të fundit nuk na bëjnë më përshtypje, as vetëvrasjet nuk na e vrasin më veshin. Lutja e vetme e secilit prej nesh në këto kohë të zymta është: O Zot larg nga pragu i shtëpisë sime. Të gjithë strukemi në vatrat tona me shpresën e vakët që pragjet ende nuk na janë prekur nga krimet e shkatërrimet, por këtu gabohemi rëndë. Nuk kemi më ajër, nuk kemi më plazhe, nuk kemi më lumenj, pyjet po zhduken e malet po gërryhen nga bizneset e papërgjegjshme, nga mungesa e rregullave, nga verbëria dhe makutëria e shtetit, e biznesit dhe e qytetarit. Zymtësia kolektive na ka pushtuar dhe një ndër përgjegjësit kryesorë duhet kërkuar pikërisht në ndjenjën armiqësore, mungesën e besimit dhe marrëdhëniet e ndera të përqendruara vetëm mbi përfitimin mes biznesit dhe qytetarit. Mbase ka ardhur koha që biznesi të kthejë vështrimin nga qytetari duke gjetur pikat e përbashkëta dhe interesat e përbashkëta për zhvillim. Tek e fundit, n.q.s një biznes zhvillohet dhe rritet brenda një komuniteti, kjo do të thotë që është në interesin e tij që ky komunitet të zhvillohet, të rritet, të krijojë një akses të qëndrueshëm në burimet natyrore, financiare e sociale. Biznesi duhet të jetë palë me komunitetin, ta shohë atë si partnerin e tij dhe jo thjesht si faktor për ta shfrytëzuar e për ti zhvatur sa më shumë para në interesin e vetëm financiar të tij. Ky është një model zhvillimi primitiv, pa asnjë perspektivë e që herët a vonë do të kthehet si bumerang në kurriz të vetë biznesit. Aq më tepër në këtë botë, ku flitet pa pushim për shterim të burimeve natyrore, për krizë financiare dhe sociale, nevoja për partneritet bëhet jetike dhe përcaktuese për rrjedhën e ekzistencës.

Qysh prej vitit 1972, pas Samitit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin në Stokholm, po dëgjojmë të flitet shpesh për zhvillimin e qëndrueshëm si një model inovativ dhe një nga pistat kryesore që bashkojnë interesat e biznesit me ato të zhvillimit të komunitetit. Për herë të parë u vu një pikëpyetje e madhe mbi modelin e zhvillimit që biznesi dhe e gjithë shoqëria kishin ndjekur deri në atë moment. Shterimi i burimeve natyrore, përkeqësimi i përhershëm i cilësisë së ajrit dhe ujit, pyjeve, lumenjve, shpeshtimi i katastrofave natyrore, përjashtimi i një pjese të madhe të popullsisë nga mundësitë e një jetese korrekte, të gjitha këto nxitën një reagim të përbashkët: nevojën për ti dhënë fund përfitimit afatshkurtër pas të cilit vrapojnë pa pushim ndërmarrjet; këtij fitimi që vë në plan të parë interesin financiar në dëm të interesit të përgjithshëm dhe që ka çuar shoqërinë njerëzore në kaos të vërtetë, pasojat e të cilit po i ndjejmë çdo ditë në kurriz. Të gjithë e ndjejmë që një sistem i tillë është një dështim për të cilin është e nevojshme të sjellim përgjigjen e duhur. Njëra nga përgjigjet do të ishte zbatimi me përpikëri i parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm drejt të cilit janë drejtuar të gjithë vendet e botës. Ky model zhvillimi do të thotë ndërtimi i një komuniteti të shëndetshëm, duke iu përgjigjur nevojave të secilit prej nesh, duke ruajtur ekuilibrat ekologjikë, socialë dhe ekonomikë në terma afatgjatë. Është opinioni publik ai që, i revoltuar me dëmet që biznesi i ka shkaktuar ambientit ku jetojnë dhe rriten fëmijët dhe ku ajri dhe uji janë bërë një luks që pak veta e gëzojnë, duhet të ushtrojë presion mbi qeverinë, mbi grupet financiare dhe industriale të vendit për të vendosur rregulla të reja, duke e vlerësuar performancën e biznesit jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga një kënd tjetër: ai social dhe ambiental.

Por në Shqipëri, askush nuk flet për një nevojë jetike që do të ndryshonte rrjedhën e marrëdhënieve të ndërsjella mes shoqërisë, shtetit, burimeve të keqpërdorura natyrore dhe një biznesi që deri tani kemi parë vetëm anën e papërgjegjshmërisë, korrupsionit, krimit, zhvatjes dhe evazionit fiskal. Në Shqipëri, ashtu si dhe në vendet e tjera, duhet të mendohet për një projekt për ndërtimin e një shoqërie më të përgjegjshme, më humane në bashkëpunim të ngushtë me ndërmarrjet, sindikatat (në rast se ato ekzistojnë), organizatat joqeveritare dhe qytetarët. Ky është rasti më i mirë që komuniteti i biznesit dhe shoqëria të reflektojnë për ndërtimin e marrëdhënieve reciproke të shëndetshme, në terma afatgjatë, me qëllim që të ndalohet sa nuk është vonë zhvatja e burimeve natyrore të këtij vendi dhe të përmirësohet urgjentisht performanca sociale, mjedisore dhe financiare e biznesit.

Armiqësia mes biznesit dhe qytetarëve vazhdon burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›