E Shtunë, 31 Tetor 2026

GJAKMARRJA, SHTETI DHE SHOQËRIA CIVILE

Ndue Dedaj

NDUE DEDAJ

Kanuni ishte rregullator dokesor, ligjor  dhe jo kobure e ngrehur në duart e askujt

Ndue DedajU banë 15 vjet që pres të vendoset drejtësia. Edhe sot e kësaj dite shkruej letra në zyrat ma të nalta të shtetit, por marr përgjigje, sa me la gojën… I jam drejtue Presidentit, ministrit të Brendshëm, prokurorit të Përgjithshëm etj. Vrasësi i tim biri ka emigrue me kohë dhe unë nuk i kam mbyllun brenda njerëzit e tij, të atin, vëllaznit, apo, prite Zot, fëmijët. Pse të marr mbi vete gjynahet e tyne, tue i pengue të venë në punë, shkollë etj. Kam prit se mos vrasësin (doracin) do ta sillnin para meje për me mkërkue falje, me mra në gjunj, simbas zakonit, se do ta kisha falun, por nuk e kanë ba!… Kjo është dëshmia autentike e një burri 75-vjeçar nga Malësia e Madhe. Ky është malësori tipik, mentaliteti i tij burrëror, falës, pajtues, por jo gjithnjë atij i preken telat e mirësisë nga ndërmjetësit, teksa shteti nuk arrin ta gjejë, ekstradojë dhe dënojë autorin e krimit. Krahas njerëzve të tillë me mend në kokë, që janë dhe shumica mbizotëruese, njëzet vitet e fundit mjerisht është (sh)formuar dhe një kategori kriminale që nuk njeh as ligj, as zakon. Këta jo vetëm që kanë shkaktuar viktima të herëpashershme në bashkëfshatarët apo të afërmit e tyre, por kanë krijuar dhe deformimin e keqkuptimin më të skajshëm të Kanunit. Kanuni ishte rregullator dokesor, ligjor për ato kohë dhe jo kobure e ngrehur në duart e askujt. As bombë që mund të pëlciste kudo e kurdo. As minë me sahat. Ai ishte i vetmi instrument e institut mbrojtës në një shoqëri pa shtet. Kjo është e gjitha. Ambroz Marlaskaj, kur ishte deputet në Parlamentin e parë shqiptar, ishte për përshtatjen e Kanunit të Maleve me rrethanat e kohës dhe në atë mënyrë të formohej Kodi Civil shqiptar, por u kundërshtua nga disa parlamentarë, që sipas tij, donin të shartonin sheriatin me kodin napoleonik. Gjithsesi, në thelb Kanuni ishte për dikur e jo për sot, pasi pos asaj që sot kemi shtetin ligjor, të tjerë janë dhe njerëzit që veprojnë në emër të Kanunit, më së shumti abuzues, përfitues të paskrupuj, kurse në rastet e vetëgjyqësisë, shpërdorues skandalozë të dokes së vjetër. Nuk mund të ndodhte kurrësesi, në zonën e Kanunit, që të ngrihej prita pas gardhit dhe të qëllohej mbi mbarë njerëzit e një shtëpie, duke shkaktuar masakër ditën për diell, si këto ditë në një fshat të Pukës, ku qëllohet autobusi me familjarë, vriten dy vëllezër e plagosen një grua e një burrë. Për më tepër në të kremten e Shën Palit, kur faleshin gjaqe. Krimi i rëndë ndodhi për pronësi toke, që jo vetëm në malësi, po gjithkund është burim konfliktesh, si në rastin e gjykatësit të ndjerë, Konomi në Vlorë, me gjithë një vendim të Gjykatës së Lartë në favor të tij etj. Rendi i ri demokratik vërtet e ktheu tokën tek i zoti, por praktikisht metri i shtetit ende nuk e ka ndërtuar tapinë e tokave, kullotave, vijave të ujit…

Një vetëgjyqësi e paralajmëruar dhe mosreagimi shtetëror në kohën e duhur

Mjafton nganjëherë dhe një rast i vetëm, i bërë gjithanshmërisht publik, për të kuptuar ato që ngjajnë prapa kuintave të maleve dhe jo vetëm, që shpesh mjegullohen nga komentet e përcipta dhe njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë se nuk kemi të bëjmë me Kanunin historik, po me shpërdorimin e tij. Dhe sfida është parandalimi i vetëgjyqësisë. Lexuesit e kanë të freskët rastin e një burri nga Mirdita para 7 muajsh, kur familjarisht zuri derën e ambasadës amerikane në Tiranë, për të kërkuar zgjidhje për një konflikt pronësie që kishte në fshatin e tij. U dërgua në policinë e kryeqytetit dhe atë të rrethit, ku me siguri duhet të jetë këshilluar. Me atë rast ai pati paralajmëruar se nëse nuk do ti zgjidhej problemi, do të vepronte vetë. Mirë a keq kjo është logjika e shumëkujt në këta njëzet vjet. O me shtet, o (po nuk veproi shteti) me Kanun. Në kuptimin e daljes për zot pronës dhe jo domosdoshmërisht të shkuarjes deri në krim, paçka se rrugës gjërat shpesh trashen, dhe se nuk janë më në fuqi e në veprim pleqësitë tradicionale që zgjidhnin ngatërresat kësodore. Pse të mos e shohim problemin pra dhe nga kjo optikë, që është e lidhur me shqetësimet e njeriut për pronën, aq më tepër me psikologjinë konservatore të fshatarit në këtë mes. Vetëgjyqësia fundja e ka një të mirë, pasi ajo gjithmonë është kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, që do të thotë se të bën me dije ty si polici, komunë, komision të kthimit të pronave, shoqëri civile se çmund të ndodhë, të lë kohë të veprosh me ligj, ndërmjetësim etj. Po u more seriozisht dhe në kohë, e shmang të keqen. Në rastin e sipërthënë, nuk u trokit në portën e konfliktit në kohën e duhur…

Gjakmarrja nuk është ekzotike, të atillë e bëjmë ne!…

Ka ca gjëra që dhe pse thuhen sa herë, prapë tirren e pështillen pa fund. Këmbëngulet që devijimet e spekulimet të merren për Kanun. Si për ta davaritur këtë mjegullnajë, shkruante këto ditë Fatos Baxhaku: Në kohët tona, të ashtuquajtura moderne, kanë ndodhur dy fenomene, kryesisht të ardhura nga padija dhe konfuzioni. Më i pari është konceptimi i Kanunit si një lloj fajtori, si një numër rregullash që i shtyn njerëzit të vrasin me krenari, me gjak të ftohtë, ndonjëherë ka edhe idiotë që e konsiderojnë Kanunin sikur të ishte një njeri i shpellave, i cili u fryn malësorëve në vesh. Në fakt, ka qenë pikërisht e kundërta… Ka pasur jo pak mendje të ndritura që i kanë rrahur çështjet kanunore, veçmas gjakmarrjen, me urtësi e profesionalizëm, ku mjafton të përmendim një shqiptar si Ernest Koliqi dhe një të huaj (por shqiptar për nga vokacioni albanologjik) si Zef Valentini. Edhe sot ka nga ata që e bëjnë këtë, publicistë, klerikë, juristë etj., brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kush i ka ndjekur në shkrime e kumtime e di mirë se në gjakmarrjen e dikurshme nuk kishte asgjë ekzotike, si dhe në këtë të sotmen, që është kryekëput një shtrembërim i asaj të së kaluarës. Ja disa rregulla të kodit zakonor që e dëshmojnë këtë. Ndalohej me fjalë e me vepra vrasja për gjak e fëmijëve, grave, pleqve të moshuar, misionarëve të fesë etj. Kur njeriu në gjak ishte me një fëmijë përdore, nuk mund të qëllohej mbi të. Ashtu si nuk vritej për gjak ai që nuk kishte se kush tia merrte gjakun. Gjakmarrja kishte rregulla strikte dhe nuk mund të ndodhte në asnjë rast që të vritej femra. Për vrasjen e një gruaje bihej dyfish në gjak. Ishte e ndaluar bile të shtije dhe mbi vetë hasmin kur ai e kishte pushkën me grykë poshtë, jo më mbi të tjerët. Asgjë, pra, nuk zgjidhet duke e quajtur gjakmarrjen: arkaike, ekzotike, mesjetare, tribale etj. Ajo është njëlloj qysh nga koha e Kainit dhe Abelit (që si përkisnin ndonjë Kanuni). Nëse nuk vepron ligji, kudo mund të ndodhë hakmarrja, anarkia, destabiliteti. Në një vend ku zhvatet prona publike dhe ka korrupsion marramendës, doemos që do të ketë hakmarrje, për shkak të përplasjes së interesave, aferave, trafiqeve, që diku mund të përkthehet dhe si gjakmarrje. Është e rëndë të thuhet, po një shteti që i vritet deputeti, gjyqtari, kryekomunari, policët, biznesmenët, kot e kërkon fajin te gjakmarrja, e cila duhet llogaritur për aq sa është e pranishme. Sipas Policisë së Shtetit, në periudhën 2001-2005, vrasjet për gjakmarrje ishin mesatarisht 7.5 për qind në vit. Gjatë vitit 2008 nga 85 vrasje gjithsej, ato për gjakmarrje ishin 4, ose vetëm 4.7 për qind e tyre. Ky është pak a shumë raporti dhe sot. Natyrisht që dhe kaq është tronditëse dhe e pafalshme, nuk duhet të ketë as dhe një vrasje me këtë shtysë fatale, ashtu si dhe as për asnjë motiv tjetër, por dhe të përdoret herë pas here gjakmar

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›