E Diel, 1 Nëntor 2026

“Aromë Trëndafili” në muzeun historik, nxënësit njihen me traditën e përgatitjes së shurupit të trëndafilit

Muzeu Historik i Shkodrës organizoi një aktivitet në kuadër të Festës së Luleve duke sjellë në vëmendje traditat e hershme të zonës dhe vlerat e trashëgimisë kulturore.

Trëndafili i njohur për aromën dhe vlerat e tij ka qenë prej kohësh pjesë e kulturës popullore jo vetëm si bimë zbukuruese, por edhe si bazë për përgatitjen e shurupit tradicional, i trashëguar brez pas brezi në familjet shqiptare.

“Në kuadër të ditës së luleve po mendojmë të realizojmë një festë me fokus lulen e trëndafilit. Do flasim për trëndafilin, për bimën origjinale, rrënjën e autoktone shqiptare, ku është ajo sot, por do të kalojmë edhe me një specifik apo një aspekt tradicional praktik në realizimin e lëngut të trëndafilit, ku do të bëhet një punëtori me fëmijët e shkollave fillore”, u shpreh Majlinda Laçaj, Drejtore Muzeu Historik Shkodër.

Ruajtja dhe përcjellja e kësaj tradite te brezat e rinj mbetet një vlerë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore.

“Qëllimi kryesor i çdo institucioni të trashëgimisë kulturore, ku këto tradita të mos humbasin por të përcillen sepse janë vlera të jashtëzakonshme. Lëngu i trëndafilit nuk përdoret vetëm si shurup, pra vetëm si një pjesë e gastronomisë shqiptare, por është mirë në kuadër edhe të këtyre festave, aktivitete të tilla pikërisht të realizohen, të organizohen për këtë çështje, pra transmetimi i traditës dhe mos të humbasim atë ato vlera që ne realisht i kemi pasur”, tha Laçaj.

Aktivitete të tilla synojnë të përcjellin tek brezi i ri njohuritë dhe traditat popullore duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të zonës.

Gazetare: B. Cina 

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›