“Arrest shtëpie” drejtorit të Tatimeve
Fatos Mahmutaj
“Arrest shtëpie” për tre të akuzuarit për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Remzi Hoxhës dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar për të akuzuarin e katërt. Kështu, duke argumentuar pretendimin e prokurorisë se, ekziston rreziku i shmangies së të akuzuarve nga gjykimi i çështjes, Krimet e Rënda vendosën dje masën shtrënguese për tre të akuzuarit që ndodhen në Tiranë, Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, si dhe shpalljen në arrest ndërkombëtar së të pandehurit të katërt të këtij procesi Ilir Kumbaro. Për rreth tre orë, një gjyqtar i Krimeve të Rënda dëgjoi pretendimet e prokurorit të çështjes Xhevat Hana për vendosjen e masës “arrest në shtëpi”, për të akuzuarit që ndodhen në Tiranë Sefgjini, Meçe dhe Koldashi, si dhe shpalljen në arrest ndërkombëtar së të pandehurit të katërt të këtij procesi Kumbaro. Dy ditë më parë, nën drejtimin e këtij gjyqtari u zhvilluan edhe dy seanca të tjera, njëra paradite dhe tjetra pasdite, ndërsa u shty që vendimi të shpallej dje, pasi prokuroria do të dorëzonte në gjykatë edhe disa prova të tjera. Pasi shqyrtoi dje këto prova, rreth orës 13:00 gjykata u tërhoq për vendim, të cilin e shpalli pak minuta më vonë, duke vendosur mbylljen nëpër banesa për tre të akuzuarve. Në seancat e zhvilluara me dyer të mbyllura, te Krimet e Rënda u paraqit vetëm pala akuzuese, prokurori Xhevat Hana, ndërsa u konfirmua që të shtunën se të pandehurit, Sefgjini, Meçe e Koldashi kishin nënshkruar në fletëthirrjet e gjykatës se, kërkonin të përfaqësoheshin në mungesë nga avokatët e tyre që i kishin mbrojtur gjatë hetimit. Por edhe pas kësaj, mbrojtësit nuk u paraqitën në gjyq me pretendimin se gjykata nuk i kishte njoftuar zyrtarisht. E ndodhur përballë këtij fakti, gjykata gjatë tre seancave gjyqësore pranoi të administronte dhe të shqyrtonte pretendimet e prokurorisë. Burime nga procesi pohojnë se, prokuroria për të argumentuar kërkesën, u detyrua të depozitonte në gjykatë të gjithë fashikujt hetimorë që do të shqyrtohen në gjyqin e pritshëm. Më parë, prokuroria pohoi se kishte bllokuar pasaportat e tre ish-punonjësve të SHIK, por njëri prej avokatëve së të pandehurve dje, e mohoi këtë, duke thënë se klienti i tij e ka pasaportën të disponueshme. Dosja për zhdukjen e Remzi Hoxhës pritet të nisë më 16 maj, ndërsa mbi katër të pandehurit rëndon akuza e “rrëmbimit me pasoja të rënda” dhe rrezikojnë dënim që mund të shkojë deri në burg të përjetshëm, nëse gjenden fajtorë.
Arresti, pengesë për Sefgjinin në ushtrimin e detyrës
TIRANE – Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, pozicion ky i lartë zyrtar, të cilin si pasojë e vendosjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie”, nga Gjykata e Krimeve të Rënda nuk mund ta mbajë më. Emërimi i tij është firmosur disa muaj më parë nga kryeministri me propozim të ministrit të Financave, ndërsa ende nuk dihet nëse do të ketë dorëheqje të tij, apo do të shkarkohet, në mënyrë që të vihet në dispozicion të gjykatës. Fakti që, Sefgjinit do t’i duhet të qëndrojë i mbyllur në banesë derisa të ketë një vendim tjetër të gjykatave më të larta për masën e sigurisë, e pengon nga ushtrimi detyrës së rëndësishme të kryetatimorit. Pak ditë më parë gjykata pohoi se, kishte marrë përgjigjet e fletë-thirrjeve që u dërgoi Sefgjinit, Meçes dhe Koldashit, ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Për Kumbaron, që u hetua në mungesë, ende nuk ka një adresë, pasi ai është larguar jashtë shtetit. Kumbaro ka pasur në vitin 1995 postin e kreut të SHIK në Drejtorinë Qendrore; Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor. Një prej avokatëve mbrojtës të Sefgjinit pohoi dje se, në vitin 2004 vetë prokuroria ishte dakord me heqjen e masës së sigurisë “burg pa afat” për ta, pasi u bind se nuk kishte prova, ndërsa u kishte pohuar atëherë të pandehurve se çështja ndaj tyre do të pushohej. Sipas avokatit, pikërisht ky fakt, ishte shkaku që Sefgjini u emërua drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas në krye të Tatimeve. f.m.
“Frika” nga mediat, përplaset makina e Krimeve të Rënda
TIRANE – “Frika” nga mediat ka shkaktuar incidentin në mjediset e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sapo doli nga seanca e djeshme gjyqësore, pas vendosjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Arben Sefgjinin, Budjon Meçen, Avni Koldashin dhe Ilir Kombaron, prokurori i çështjes Xhevat Hana, i kërkoi shoferit që do e dërgonte në prokurori të nisej sa më parë, në mënyrë që të mos e filmonin kamerat e shumta të televizioneve që ndodheshin jashtë portës së gjykatës. Si pasojë e nisjes me shpejtësi makina tip “Mazda” që i përket institucionit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është përplasur me një fuoristradë të blinduar të policisë së kryeqytetit, e cila kishte shoqëruar në gjykatë dy vëllezër të arrestuar për trafik. Nga përplasja mjeti i prokurorisë është dëmtuar, para në anën e majtë duke iu thyer feneri. Pas kësaj makina ka dalë jashtë gjykatës për të dërguar në zyrë prokurorin Hana. Fakti për të mbajtur sekret seancën gjyqësore të vendosjes së masës së sigurisë ndaj të akuzuarve, ishte shkaku i moslejimit të përfaqësuesve të mediave të qëndronin në oborrin e jashtëm të gjykatës.