E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i pistoletave, lirohet një prej vëllezërve të arrestuar

TIRANE – Krimet e Rënda liruan dje nga qelia 37-vjeçarin Halit Zhërka, të arrestuar katër ditë më parë nën akuzën e trafikimit të armëve.

Ndërsa, vëllai i tij më i vogël Mehmet Zhërka, 33-vjeç, me vendim të gjykatës duhet të qëndrojë në paraburgim, gjatë kohës që organi i prokurorisë do kryejë hetime në ngarkim të tyre. Shkak për lirimin e më të madhit prej vëllezërve ishte fakti se hetimet paraprake kanë nxjerrë se, ai nuk kishte lidhje me trafikun me të cilin merrej i vëllai dhe se, nuk kishte dijeni për armët që u gjetën në makinën e tij. Sipas hetimit, ato mund t’i kishte vendosur vëllai i tij. Prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi se, dy vëllezërit Zhërka u prangosën katër ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Morina”, organizuar nga sektori i luftës kundër trafiqeve në Drejtorinë e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Finalizimi i këtij operacioni do të ishte prangosja e dy vëllezërve Mehmet e Halit Zhërka, me origjinë nga Tropoja, dhe banues në Babrru, Tiranë. Në momentin e arrestimit të tyre policia u kapi dhe sekuestroi 50 pistoleta tip “Minizastava” e 24 “Bereta”; 1 granatahedhës; 6 predha kundërtanke; 120 granata dore; 120 ndezës granatash dhe 150 copë fishekë të llojeve të ndryshme. Prokurori pohoi se, operacioni u finalizua rreth orës 16:00 të së enjtes në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Farmacisë 10”, kur u arrestuan dy vëllezërit nën akuzën e “trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake”. Sipas organit të akuzës, armët dhe municionet që u kapën dy vëllezërve e kishin origjinën nga Kosova, ndërsa blerja e tyre ishte stimuluar nga një agjent i policisë i infiltruar. Sipas porosisë, Zhërka i kishte blerë ato armë në Kosovë dhe i kishte transportuar në Tiranë. Gjatë gjithë kohës celulari i tij ishte mbajtur në përgjim, duke regjistruar të gjitha bisedat në mënyrë që të përdoreshin si provë në ngarkim të tij. Ndërsa, prangosja u bë në momentin që ai do i shkëmbente armët me shumën që i kishte premtuar agjenti i infiltruar i policisë. Pas prangosjes dhe dërgimit në komisariat, u bë verifikimi i dy vëllezërve, ku rezultoi se Mehmeti kishte vuajtur një dënim më parë nën akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›