Arrest shtëpie për presidentin Koliqi
Pasi ka kaluar afro 48 orë në paraburgim, presidenti i Burrelit, Murat Koliqi, është njohur me vendimin e Gjykatës së Elbasanit. Pas dhunës fizike që drejtuesi i klubit matjan ushtroi ndaj vëzhguesit të ndeshjes Sopoti-Burreli, të vlefshme për Kategorinë I, ai duhet të përballet me masën e arrestit në shtëpi. Të mërkurën që lamë pas, Koliqi dhe dy lojtarë të skuadrës që drejton, ka rrahur ish-gjyqtarin e njohur Sazan Velçani, tashmë në rolin e zyrtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Arsyeja ishte se vëzhguesi nuk e lejoi ta ndiqte ndeshjen nga pankina, por duke zbatuar me përpikëri rregulloren e ka detyruar të qëndrojë në tribunë.
Mesditën e së premtes, rreth orës 13:00, Koliqi u paraqit përpara gjyqtarit Zihni Shahu, i cili ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes, Petref Asllani, duke dhënë masën e sigurisë me arrest shtëpie. Numri 1 i Burrelit dhe avokati mbrojtës kanë këmbëngulur se ai nuk përbën asnjë rrezik për shoqërinë. Edhe pse e ka cilësuar të drejtë ndalimin, presidenti i matjanëve ka “luftuar” që masa e sigurisë të ishte vetëm me detyrim paraqitjeje. Megjithatë, duke pasur parasysh precedentët e dhunshëm të klubit, gjyqtari e ka hedhur poshtë kërkesën e palës mbrojtëse dhe la në fuqi vendimin për arrest shtëpie. Koliqi u arrestua në flagrancë nga Policia e Librazhdit, në përfundim të ndeshjes së prapambetur që prej muajit janar. Në dhomat e zhveshjes, ata kanë goditur barbarisht vëzhguesin Velçani, edhe për shkak të pretendimeve rreth gjykimit që i shkaktoi skuadrës humbjen përballë ekipit që mbyll klasifikimin në Kategorinë I. Gjithçka ka nisur prej golit të fitores së Sopotit, të shënuar pas një penalltie, e cila është kontestuar fortë nga miqtë. Polemikat me “xhaketat e zeza” janë bërë edhe më të ashpra pas golit të barazimit të Burrelit, që u anulua nga treshja e gjyqtarëve për pozicion të parregullt.
Prej dhunës së ushtruar, vëzhguesi i federatës ka qëndruar për disa minuta pa ndjenja në ambientet e stadiumit, ndërsa më pas u dërgua me urgjencë në spitalin e Librazhdit, për të marrë ndihmën e shpejtë. Ndërkohë, drejtuesi më i lartë i skuadrës së Burrelit, së bashku me futbollistët Neli dhe Selmani u dërguan menjëherë në Komisariatin e qytetit të Elbasanit. Pasi u morën në pyetje, dy lojtarët u lejuan të largoheshin, ndërsa Koliqi qëndroi në dhomat e paraburgimit dhe ndaj tij filloi ndjekja penale me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Ngjarja është dënuar ashpër edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Sporteve, ndërsa FSHF-ja nuk mbajti asnjë qëndrim zyrtar. Sipas punonjësve të institucionit që drejton sportin më popullor në vend, reagimi për dhunën ndaj punonjësit Velçani do të vijë vetëm nëpërmjet organeve juridike (Komisionit të Disiplinës).
#