Padit policinë në gjykatë, i kërkon 5 mijë dollarë
Policia e Shtetit paditet në Gjykatën e Tiranës për dhunë fizike dhe psikologjike. Gëzim Vejushi, i arrestuar disa kohë më parë gjate operacionit “Mjegulla e mëngjesit”, i akuzuar për grabitje automjetesh, pretendon se është dhunuar fizikisht nga disa efektivë të komisariateve të policisë së Tiranës. Ai kërkon një dëmshpërblimin prej pesë mijë USD, pasi nga dhuna e pësuar i është shkaktuar një traumë e madhe, si dhe dëmtime fizike të rënda. Megjithatë, personi i arrestuar nuk ka denoncuar persona konkretë, por Policinë e Shtetit, duke kërkuar prej saj edhe shumën e majme. Kërkesë-padia është regjistruar në Gjykatën e Kryeqytetit dhe është hedhur në short. Paditës është Gëzim Vejushi dhe i paditur është Policia e Shtetit. Objekti është “Shpërblimi i dëmit nga ana e të paditurit në vlerën 5 mijë USD, si rezultat i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike”. Gjyqtarja që do ta gjykojë këtë çështje është Majlinda Doga.
Shkaktimi i dëmitPaditësi Gëzim Vejushi pretendon se i është shkaktuar një dëm dhe kërkon një dëmshpërblim prej pesë mijë USD. Kjo është hera e parë që Policia e Shtetit paditet për dhunë fizike nga një person i arrestuar dhe i dënuar. Shpesh herë kemi dëgjuar se shumë prej të ndaluarve apo të arrestuarve ankohen ndaj efektivëve të policisë për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike. Madje për këto raste është mobilizuar edhe zyra e Avokatit të Popullit, e cila shpesh herë ka rekomanduar nisjen e procedimeve penale ndaj policëve. Por nisma e marrë nga Gëzim Vejushi mund të krijojë një precedent “të rrezikshëm” për Policinë e Shtetit, e cila duhet të tregohet e kujdesshme për të mos ushtruar dhunë ndaj personave të ndaluar apo arrestuar. Nëse gjykata pranon kërkesën e tij, atëherë do të kishim dhjetëra persona që pretendojnë se janë dhunuar, duke kërkuar dëmshpërblim monetar. Kërkesa për shkaktim dëmi ndaj Gëzim Vejushit pritet të ndëshkojë disa persona nga radhët e punonjësve të policisë. Ajo do të pritet me shumë interes nga persona të tjerë që pretendojnë se kanë ngrenë “dajak” nga uniformat blu. Megjithatë, gjithçka do të duhet të sqarohet në Gjykatën e Tiranës, e cila nëse do të vërtetohet, duhet t’i japë një “mësim të mirë” policisë. Duket se koha në tranzicion e policisë ka mbaruar dhe qytetarët, megjithëse të arrestuar, kanë të gjitha të drejtat për të paditur jo vetëm policinë, por edhe të gjitha institucionet ku shkelen të drejtat e njeriut.
PoliciaGëzim Vejushi është arrestuar disa javë më parë nga Policia e Tiranës, nën akuzën e grabitjes së automjeteve. Së bashku me një shtetas tjetër ai kishte shtrirë aktivitetin e këtij “biznesi” të paligjshëm edhe në periferi të kryeqytetit, ndërkohë që makinat e vjedhura fshiheshin dhe shiteshin në Shkodër. Nga të dhënat policore mësohet se Vejushi nuk ka pasur rol kryesor në grabitjen e makinave, por ka ndihmuar shokun e tij. Ata janë ndaluar dhe gjatë shoqërimit pretendojnë se janë “trajtuar” nga efektivët e policisë. Operacioni që ndaloi dy personat u kodua “Mjegulla e mëngjesit”, dhe arrestoi M. A., 28 vjeç dhe Gëzim Vejushin, 48 vjeç, të dy të dënuar edhe më parë për vjedhje. Policia shpjegoi se personi që grabiste automjetet ishte M. A., i cili, pasi i vidhte, i dërgonte në qytetin verior te Gëzim Vejushi, që sipas policisë merrej me shitjen e tyre.
#