E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestime të BKH-së pa Policinë e Shtetit, reagon Lamallari: Parashikohet në ligj

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka deklaruar se veprimet operacionale të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përfshirë rastet kur ndërhyrjet kryhen pa praninë e Policisë së Shtetit, janë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi dhe nuk lidhen me mungesë besimi mes institucioneve.

Duke folur në një intervistë për Report TV, Lamallari komentoi operacionin e fundit ku u arrestua Adi Çoba nga agjentët e BKH-së, duke theksuar se strukturat hetimore kanë të drejtë ligjore të zbatojnë masa sigurie në mënyrë të pavarur.

Sipas tij, Policia e Shtetit vijon të jetë një nga institucionet më të vlerësuara në bashkëpunimet ndërkombëtare, përfshirë nga Europol dhe Eurojust, duke dëshmuar rritje të proaktivitetit në operacionet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Policia e Shtetit vlerësohet nga Europol dhe Eurojust. Bashkëpunimi me SPAK është i vazhdueshëm dhe në rritje. Policia ka mbajtur peshën kryesore në zbatimin e masave të sigurisë, si me Prokurorinë e Përgjithshme ashtu edhe me SPAK”, u shpreh Lamallari.

Ai shtoi se veprimet e BKH-së janë pjesë e zbatimit të reformës në drejtësi dhe kompetencave të parashikuara në ligj, duke theksuar se oficerët e këtij institucioni kanë atributet e policisë gjyqësore dhe mund të ekzekutojnë masa sigurie sipas delegimit të prokurorit të çështjes.

Në lidhje me pyetjen nëse ndërhyrjet pa Policinë e Shtetit mund të interpretohen si mungesë besimi nga SPAK, ministri e përjashtoi këtë mundësi, duke theksuar se bëhet fjalë për detyrim ligjor dhe jo për çështje institucionale besimi.

“Është detyrim ligjor si për oficerët e policisë gjyqësore, ashtu edhe për Policinë e Shtetit, që të zbatojnë çdo masë të deleguar nga prokurori i çështjes”, përfundoi Lamallari.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›