Protesta para Kuvendit, KShH: Shqetësim për aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar mbi zhvillimet e protestës së mbajtur dje përpara Kuvendit, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës nga individë të veçantë dhe përdorimin e forcës joproporcionale nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve.
Sipas KShH, e drejta për tubim paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa institucionet shtetërore kanë detyrimin jo vetëm të lejojnë protestat, por edhe të garantojnë ushtrimin e tyre në kushte sigurie dhe proporcionaliteti.
Në analizën e saj, organizata thekson se protesta ka pasur në pjesën më të madhe karakter paqësor, ndërsa aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen të gjithë pjesëmarrësve.
Në këtë drejtim, KShH referon praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë çështjet Kudrevičius and Others v. Lithuania, Ziliberberg v. Moldova dhe Frumkin v. Russia, ku theksohet se incidente të izoluara dhune nuk e zhveshin tubimin nga mbrojtja ligjore.
KShH shpreh shqetësim për reagimin e forcave të rendit pas incidentit me automjetet pranë Kuvendit, duke vënë në dukje kalimin e shpejtë nga një situatë e qetë në ndërhyrje me rrethim, shtyrje dhe përdorim të gazit lotsjellës. Sipas organizatës, kjo ngre pikëpyetje mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes policore.
Po ashtu, KShH thekson se përdorimi i gazit lotsjellës nuk është shoqëruar me paralajmërim publik dhe me kohë të arsyeshme për shpërndarje vullnetare, duke e bërë ndërhyrjen problematike në raport me standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, referohen vendimet Abdullah Yaşa and Others v. Turkey, Ataykaya v. Turkey dhe Oya Ataman v. Turkey, si dhe nenet 3 dhe 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KShH shpreh gjithashtu shqetësim për raste të përdorimit të forcës ndaj personave të neutralizuar, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të standardeve të të drejtave të njeriut dhe duke kërkuar hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv.
Në këtë drejtim, KShH i referohet edhe çështjes Bouyid v. Belgium, ku theksohet se çdo dhunë ndaj personave të pambrojtur përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues.
Në përfundim, KShH apelon për hetim të plotë dhe të paanshëm të të gjitha pretendimeve për përdorim joproporcional të forcës, duke nënvizuar se aktet e dhunës individuale nuk mund të justifikojnë ndërhyrje të tepruar ndaj protestuesve paqësorë.
/gj.m/r.e/