E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arrestimet për ‘sterilizimin’/ Rama: Flasin sikur SPAK është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit, por ne reformuam drejtësinë

Falenderues për punën e prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe gjatë gushtit të pushimeve, Edi Rama ia njeh si meritë qeverisë së tij funksionimin e drejtësisë.

Në Twitter kryeministri shkruan për një drejtësi të pavaruar nga qeveria dhe që falë vendosmërisë së Partisë Socialiste drejtësia e marrë peng dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë i përket të shkuarës.

Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas arrestimeve të rradhës të SPAK. Për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro që çoi në pranga ish zëvendës-ministrin e shëndetësisë Klodjan Rrjepaj dhe kur Gjykata Speciale kërkon hetim edhe për dy ish ministra atë të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Financave, Shkëlqim Cani, Edi Rama nuk i përmend drejpërdrejtë.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, po erdhën në jetë si shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues. Kjo drejtësi sot ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj më solemn e më të vështirë për të realizuar, përballë 100 viteve përqeshjeje me drejtësinë në historinë e shtetit shqiptar, kur nuk u prek kurrë dot nga drejtësia asnjë individ i pushtetshëm apo i lidhur me pushtetin, ku drejtësia ishte një shëmtirë e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët.

Luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar Edi Rama thotë se qeveria do t’i vë gjoksin dhe do ta mbështesë atë pa kushte.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi me gjoks rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj. Falë besimit se ky vend bëhet dhe fuqisë së kësaj qeverie për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë, e për ta mbështetur atë pa kushte kundër korrupsionit e krimit të organizuar

Ish zëvendës-ministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj është zyrtari i radhës i arrestuar me kërkesë të SPAK. Ai pason Arben Ahmetaj, ish numri dy i qeverisë të cilin drejtësia e kërkon për ta arrestuar për aferën e inceneratorëve. Për të njëjtën çështje në burg dhe të arrestuar janë edhe ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish deputeti, Alqi Bllako. Lista e socialistëve të arrestuar dhe nën akuza për korrupsion vazhdon me ish kryebashkiakë si Vangjush Dako, Lefter Alla, Safet Gjici dhe zyrtarë të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›