E Enjte, 5 Nëntor 2026

Arrestimi i Metës, Rama: Çështje që i takon vetëm drejtësisë

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të komentonte arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta mesditën e 21 tetorit, teksa tha se çështja i takon drejtësisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se do t’i qëndronte vendimit për të mos komentuar para miqve të huaj apo në gjuhë të huaj, zhvillimet në politikën e brendshme shqiptare.

“Ju e dini përgjigjen, jo thjeshtë për faktin që unë asnjëherë nuk bëj komente të politikës së brendshme në gjuhë të huaj, apo në prani të miqve të huaj, por edhe për faktin se qysh se ne e kemi nisur reformën në drejtësi dhe ajo ka filluar të zbatohet, as unë, as forca politike që unë udhëheq nuk bën komente për çështje që i takojnë drejtësisë”, u shpreh Rama.

Rama tha se mund të kishte një koment, vetëm kur çështja të përmbyllet, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomenin e shpifjes, por se për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë.

“Kur ndodh që çështjet të përmbyllen, mbase në ndonjë rast ia vlen të bëhet edhe ndonjë koment, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomenin katastrofik për shoqërinë, siç është shpifja. Për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë”, deklaroi kryeministri.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›