Arrestimi i Shefit të Kufirit në Korçë, AMP: Lejoi automjetin me 26 kg drogë të kalonte drejt Greqisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Shefit të Kufirit në Korçë, i dyshuar si i përfshirë në trafik droge. Nëpërmjet një njoftimi, AMP bën me dije se kryekomisari me inicialet S.P., me veprime konkrete e të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin, ka lejuar personin me inicialet L.L., të kalojë kufirin në Kapshticë pa iu nënshtruar kontrollit.
Ky veprim është kryer në intervale të ndryshme kohore nga kryekomisari, i fundit më 27 nëntor, ndërsa po ashtu ai urdhëronte edhe vartësit për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e personit me inicialet L.L..
Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur edhe kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin grek.
AMP njofton se hetimet në kuadër të këtij procedimi vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
/rtsh.al/