E Enjte, 5 Nëntor 2026

Arrestimi i mashtruesit për programe mësimore në Amerikë, Ambasada e SHBA përgëzon Policinë e Shtetit

TIRANË, 23 korrik/ATSH/- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë, lidhur me arresteimin e një 20 vjeçari në Devoll, i cili akuzohet si i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin.

Ambasada e SHBA në Tiranë, në rrjetet sociale thekson se “njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta. Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës”.

“Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje”, përfundon reagimi i Ambasadës së SHBA  në Tiranë.

Policia njofton se hetimet proaktive janë zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me  Ambasadën e ShBA-së në Tiranë dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. 20-vjeçari akuzohet për dy vepra penale: “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

“Pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zbuluar një skemë mashtrimi e organizuar nga shtetasi tashmë i arrestuari E. H., i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.

Këti programe iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese”, njofton Policia e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›