E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Arrestimi pa gjyq i paligjshëm”, Rama: Problem gjyqtarët që kanë frikë dhe kanë bërë marrëveshje me prokurorin

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë takimit me asambletë socialiste të disa njësive në Tiranë tha se Partia Socialiste ka marrë përsipër të transformojë Shqipërinë.

Sa i përket arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Rama u shpreh se çdo shqiptar që nuk kapet në vendin e krimit dhe që është i dyshuar, meriton të ketë një gjyq të drejtë, sepse, siç thekson kryeministri përndryshe, kemi një drejtësi të pavarur, por jo një drejtësi të drejtë.

Rama shton se arrestimi pa gjyq është i paligjshëm. Ai deklaroi se gjyqtarët që kanë frikë dhe kanë bërë marrëveshje me prokurorin janë një problem në vendin tonë.

 Rama: Ne ia kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe e kemi bërë të barabartë në çdo tavolinë, në çdo gjuhë të botës. Lufta kundër korrupsionit është ajo që duhet t’ju bëjë krenarë. Thoshin e bëri Amerika, e solli Amerika. Po tani? Iku Amerika. Kush e mban tani SPAK dhe gjykatën speciale larg duarve të bufit të kënetës? Ju duhet të kuptoni që kemi marrë përsipër të transformojmë Shqipërinë dhe transformimi i Shqipërisë pa transformimin e drejtësisë nuk bëhet. Nëse nuk ka barazi përpara ligjit dhe drejtësi të barabartë për të gjithë, nuk e kemi bërë detyrën.

Tjetër është të mbjellësh pemë, tjetër të japësh drejtësi. Edhe kur kjo drejtësi që ti e jep gabim, e vuan një familje si e jona për dikë nga ne, jo se është nga ne, por çdo shqiptar që nuk kapet në vendin e krimit ose që nuk kapet me presh në duar ose që nuk është i rrezikshëm, meriton të ketë një gjyq të drejtë, të ndershëm. Çdokush. Sepse, përndryshe, kemi një drejtësi të pavarur, por jo një drejtësi të drejtë.

Ne jemi qeveria e Shqipërisë. Ka që nga 1912 që Shqipëria ka një institucion të qeverisjes dhe prapë nuk jemi në nivelin e vendeve të tjera. Po kjo drejtësia e re që ka 5 vjet, patjetër që t’i kërkosh të mos bëjë gabime është njësoj si t’i thuash një fëmije fol dhe shkruaj 3 gjuhë të huaja pa mësuar asnjë abetare. Ne, duke mos e vënë në diskutim pavarësinë dhe duke e prezantuar bufin e kënetës edhe me Noc Rrokun, do flasim edhe për gjërat që nuk shkojnë. Nuk e kemi bërë për 5 vite.

Arrestimi pa gjyq është i paligjshëm. Pse? Pse duhet ta marrësh tjetrin ta fusësh në burg pa gjyq? Për të treguar që je i fortë apo për të treguar që prokuroria dhe gjykata është e njëjta gjë? Kjo është një kambanë që bie për gjyqtarët. Nuk duhet të jenë aty për të mbajtur anën e prokurorit. Gjyqtarët që bëjnë marrëveshje me prokurorin apo që kanë frikë dhe bien dakord të fusin njerëz në burg pa gjyq, është problem. Ti si ke ngritur akuzë si i pandehur, i ke ngritur akuzë si i dyshuar. Po kush je ti? Po njerëzit që kanë votuar, apo ata janë kot? Kush duhet t’i ndjekë gjithë punët dhe të mbajë përgjegjësi për votën që i ka dhënë populli?

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›