Berisha mbron prokurorin Ols Dado: Veliaj do denoncohet nesër për mashtrim publik

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se mashtroi publikun një ditë më parë kur pretendoi se prokurori Olsi Dado kishte përdorur ndaj tij fyerje në seancë gjyqësore.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Erion Veliajn për sulm ndaj prokurorit që po e heton.
“Unë gjithashtu jam për të dënuar këtu me forcën më të madhe Griseldën bis të Lali Vjedhësit. Famoz në mashtrimet e tij publike, Lali Vjedhësi mashtroi qytetarët e Shqipërisë dhe komunitetin ndërkombëtar, duke postuar nga qelia procesverbal të falsifikuar dhe manipuluar, me të cilin ai me çdo kusht donte të rëndonte pozicionin e prokurorit të dosjes”, tha Berisha.
Berisha lajmëroi se nesër opozita do të padisë kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mashtrim.
“E informoj Erion Veliajn dhe publikun se ai nesër do të denoncohet për mashtrim publik dhe shihen modalitetet që kësaj dosje t’i bashkohet edhe dosja e Griseldës, e cila nuk mund t’i harrohet. Me mashtrimin e djeshëm ndaj publikut, Erion Veliaj tregoi se, për t’i shpëtuar krimeve që ka kryer, është i aftë të ndërmarrë çdo veprim”, deklaroi ai.
Kryetari i PD i bëri apel edhe liderit të mazhorancës, Rama, të reagojë ndaj këtij akti të Veliajt.
“Paralajmëroj Edi Ramën të denoncojë këtë akt mashtrues nëse nuk bashkëpunon me të, se qarkullojnë lajme se në atë njoftim Rama ka pjesën e tij”, shtoi kryetari i PD.
Por kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj akuzave dhe sulmeve të liderit të opozitës, por zgjodhi të ironizojë Sali Berishën dhe takimin e së dielës në Athinë. /vizionplus.tv