Arrestohen 5 tifozë italianë në Bullgari
Janë pesë tifozët italianë që janë mbajtur në gjendje arresti nga policia bullgare me akuzën se i kanë vënë flakën një flamuri bullgar në fillim të ndeshjes së vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2010, që Italia ka zhvilluar kundër Bullgarisë, të mbyllur në barazim 0-0. Nga sa mësohet, kanë qenë tifozët vendës, që në fillim, i kanë vënë flakën një pankarte që kishte të vizatuar flamurin italian, të cilën ua kishin vjedhur tifozëve që kishin mbërritur nga Italia. "Eshtë hera e parë që kombëtarja përjeton një natë të tillë, dhe këtë e thotë një njeri që ndodhet këtu që nga viti 1963". Memoria historike e Xhixhi Rivës ndëshkon tifozët e Italisë për gjestin e shëmtuar të bërë në Sofje. "Ne nuk kemi nevojë për tifozë të tillë, - ka thënë përgjegjësi i delegacionit të kaltër, - sepse ne nuk jemi si ata. Të mbërrish në stadium dhe të shohësh një shfaqje të tillë në vendin ku ishin tifozët tanë, nuk është një gjë e bukur. Me pak fjalë, e dënojmë atë që ka ndodhur. Ndër të tjera kanë bërë që të zhvillohej një ndeshje më agresive seç duhej". Gjithsesi, Riva është i mendimit se nuk duhet folur gjatë: "Unë mendoj se këta njerëz nuk duhen konsideruar, dhe nuk duhet folur gjatë për atë që bëjnë, sepse kështu iu bëjmë reklamë. Tifozët e vërtetë të kombëtares janë njerëz të mirë dhe ka me miliona prej tyre". Edhe politika italiane ka reaguar, duke kritikuar sjelljen e vetëm disa elementëve në stadiumin e Sofjes. Por nga ana tjetër, ka edhe nga ata që kanë vënë në shënjestër tifozët bullgarë. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhiankarlo Abete, sigurisht pa u dalë në mbrojtje bashkëkombasve të vet, ka nënvizuar: "Ishte një sjellje jo e mirë e tifozëve tanë, por edhe bullgarët përveçse dogjën disa nga flamujt tanë, vërshëllyen himnin e Mamelit para ndeshjes."