E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, trajneri Lëv përjashton Kevin Kuranin

Lojtari është larguar nga stadiumi pa lajmëruar njeri, pasi ka parë pjesën e parë nga tribuna

Trajneri i Gjermanisë, Hoakim Lëv, ka deklaruar dje se sulmuesi Kevin Kurani nuk do të jetë më pjesë e ekipit kombëtar, pasi ai është larguar pa leje ditën e shtunë, duke u zhdukur nga stadiumi gjatë fitores 2-1 të Gjermanisë ndaj Rusisë për eliminatoret e Botërorit 2010. Sulmuesi i Shalke 04, i cili nuk bënte pjesë as në listën e lojtarëve rezervë, ka qenë i detyruar t'i shohë nga tribuna dy golat e fitores të shënuar në pjesën e parë nga Lukas Podolski dhe Mikael Balak. Siç bëhet e ditur nga shtypi, 26-vjeçari nuk ka qenë prezent kur ekipi është nisur me autobus drejt bazës në Dyseldorf dhe deri dje ai nuk ka kontaktuar me asnjë pjesëtar të stafit të kombëtares gjermane. Menjëherë, Lëv ka reaguar duke e përjashtuar lojtarin. "Unë nuk mund të pranoj një sjellje si ajo e bërë nga Kevin, dhe për këtë arsye them se ai nuk do të jetë më pjesë e kësaj kombëtareje për sa kohë të jem unë trajner", ka bërë të ditur Lëv. Gjithashtu, mediet kanë bërë të ditur se dy shokë të lojtarit kanë shkuar në hotelin "Dyseldorf Hilton", ku qëndron ekipi kombëtar, dhe kanë tërhequr valixhet e Kuranit ditën e shtunë. DFB-ja ka konfirmuar mungesën e lojtarit, por nuk ka ditur të shpjegojë arsyen pse Kurani është larguar në atë mënyrë dhe se çfarë masash do të merren ndaj lojtarit. Braziliani i natyralizuar ka parë pjesën e parë me shokët e tjerë të ekpit që ishin gjithashtu në tribunë, më pas ka kërkuar leje për t'u ndërruar. Por pasi i është dhënë leja e kërkuar, Kurani, i cili është lënë jashtë kombëtares edhe nga Jurgen Klinsman në Kupën e Botës 2006, nuk është parë më dhe nuk është paraqitur para largimit të ekipit me autobus. Më shumë se një orë pas përfundimit të takimit, punonjës të DFB-së kanë kërkuar lojtarin e humbur në ambientet e stadiumit para se ekipi të largohej, por pa sukses. Menaxheri i ekipit Oliver Birof ka tentuar disa herë të lidhet në telefon me lojtarin, por nuk ia ka arritur. Ndërkohë që, Gjermania të mërkurën do të presë Uellsin në Mynçegladbah dhe ndodhen në vendin e parë në grupin e tyre me shtatë pikë pas dy fitoreve dhe një barazimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›