Arrestohen dhunshëm 5 aktivistë të Vetëvendosjes në Prizren
Prizren, 10 qershor 2010 NOA - Pas përfundimit të demonstratës në Prizren, shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës filluan ti përcillnin aktivistët e VETËVENDOSJE!-s dhe demonstruesit që po shpërndaheshin pas demonstratës. Këto policë arrestuan 5 aktivistë të VETËVENDOSJE!-s: Arianit Sadikun, Muhamed Shemsiun, Durim Jasharajn, Hekuran Sejfullahun dhe Durim Xhemajlin.
Lëvizja tha se udhëheqësia politike e Kosovës jo vetëm po na sjell vendime antishqiptare, por po i mbron ato edhe me kërcënime policore dhe arrestime. Në këtë mënyrë, ky regjim politik jo vetëm po na shkombëtarizon, por edhe po i terrorizon e frikëson qytetarët me arrestime, ashtu që të ta japin porosinë se të jesh shqiptar dhe ta mbrosh identitetin tënd tashmë është edhe e ndëshkueshme.
Njëjtë është pasë munduar edhe Rankoviqi e Milosheviqi, gjatë kohës të së cilëve të ishe shqiptar dhe ta afirmoje identitetin e kërcënuar shqiptar, do të thoshte të përballeshe me shtypjen, arrestimin dhe burgun. Por, të gjithë ata që janë munduar ta zhbëjnë identitetin shqiptar deri sot, kanë dështuar, dhe aspak ndryshe nuk do ta kenë fatin as robotët e sotshëm antishqiptarë.
Tash policia e Kosovës ka filluar të veprojë edhe tinëzisht. Kanë filluar ta presin përfundimin e demonstratave, ti presin demonstruesit deri sa të shpërndahen, e pastaj i përcjellin ata për ti arrestuar.
Policia ka filluar të frikësohet nga populli, në vend që të del në anën e popullit. Thërrasim Policinë e Kosovës të mos veprojnë tinëzisht, por ti bashkohet popullit të bashkuar, deklaroi Lëvizja VETËVENDOSJE!
Më poshtë vijon një opinion nga Lëvizja VETËVENDOSJE!
Atë që nuk e bëri sulltani, e bëri vetë Enver Hasani
Sot në Prizren u mbajt demonstrata e Lëvizjes
VETËVENDOSJE! me moton Për identitet dhe dinjitet kombëtar. Kjo demonstratë u
mbajt për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e
emblemës komunale të Prizrenit, në të cilën paraqitet shtëpia e Lidhjes së
Prizrenit. Demonstrata filloi në sheshin kryesor të qytetit dhe në të morën
pjesë rreth 5,000 vetë.
Faruk Dakaj nga qendra e VETËVENDOSJE!-s në Prizren ishte i pari që iu drejtua
demonstruesve të mbledhur te shadërvani i qytetit. Ai tha se Plani i
Ahtisaarit, në emër të të cilit është marrë vendimi për ndryshimin e emblemës
komunale, është veprim shkombëtarizues. Ky vendim po vjen pas një varg veprimesh
tjera të cilat filluan me heqjen e flamurit kobëtar, himnin pa tekst,
serbizimin e objekteve fetare, kurse tash po synohet që ky shkombëtarizim të
shkojë thellë edhe deri te vetë institucionet lokale.
Më pas masa demonstruese iu drejtua kuvendit komunal të Prizrenit. Përpara
objektit komunal foli Glauk Konjufca. Glauku tha se nëse sot po na rrezikohet
Lidhja e Prizrenit, kjo vjen për shkak se nuk kemi udhëheqës politikë sikur ata
të Lidhjes së Prizrenit. Krerët e Lidhjes luftonin me armikun për ti mbrojtur
tokat shqiptare. Krerët e sotshëm luftojnë me njëri-tjetrin për shitjen e
tokave shqiptare. Krerët e Lidhjes varfëroheshin për të pasur populli. Krerët e
sotëm pasurohen prej parasë së të varfërve prej buxhetit të popullit. Me këtë
rast, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s vendosën në hyrjen e objektit të kuvendit
komunal emblemën aktuale të këtij institucioni dhe e cila nuk duhet të
ndërrohet.
Dhe erdhi çasti kryesor i demonstratës: ndalja përpara shtëpisë së Lidhjes së
Prizrenit. Aty demonstruesve iu foli veprimtari i njohur i çështjes kombëtare
dhe njëri prej themeluesve të UÇK-së, Gani Krasniqi. Ai tha se Lidhja e
Prizrenit paraqet ngjarjen më të rëndësishme kombëtare shqiptare pas Kuvendit
të Lezhës. Qëllimet e Lidhjes së Prizrenit ishin edhe brenda vetë luftës së
fundit çlirimtare, e cila, në fund u keqpërdor nga njerëz të caktuar për të
bërë karriera politike në dëm të Kosovës tha Gani Krasniqi. Dhe në fund shtoi
se Lidhja e Prizrenit ka qenë, është dhe gjithnjë do të jetë gjallë.
Për konceptin politik të Lidhjes së Prizrenit dhe rëndësinë e saj si ngjarje
politike dhe program që jehon historikisht, foli profesori i filozofisë
politike nga Tirana, Hysamedin Feraj. Ai tha se Plani i Ahtisaarit po e
shfytyron kombin shqiptar. Sepse po ia shlyen atij vetitë e tij thelbësore. Në
fund Feraj tha se atë që nuk e ka bëri sulltani, e bëri vetë Enver Hasani.
10 qershor 2010
Lëvizja VETËVENDOSJE!