Arrestohen dy ish-drejtorë të Kadastrës në Fier për falsifikim dokumentesh, sekuestrohen 1143 ha tokë

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Prokuroria e Fierit vendosi masa e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj katër shtetasve E.Sh., B.K. në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P. Ç. specialistit, jurist, pranë ASHK dhe K.H., përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Po kështu, sipas prokurorisë në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë (e barabartë me njëmbëdhjetë milion e katërqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e gjashtë m2), si dhe 150.000 euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë hetimeve të deritanishme për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025, kryer në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet përdorimit edhe të metodave proaktive, arriti të provojë se:
Prokuroria njoftoi se shtetasi K.H., duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1143 hektarë si dhe 150.000 euro të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Më pas, ky shtetas, duke u paraqitur me cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme.
“Shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK, Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit K.H., në kundërshtim me ligjin”, njoftoi prokuroria.
Për më tepër, sipas prokurorise, ka rezultuar se shtetasi B. K., ish drejtor i ASHK, Fier, kur ka regjistruar pasurinë ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi K.H. edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi.
Gjithashtu, shtetasit E.SH. e P.Ç. gjatë regjistrimit të pasurive kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të shtetasve K.H., etj, nga tokë arë në tokë pa frut, pa një akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier.
Masat e sigurimit personal dhe pasuror u ekzekutuan nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 Tiranë, si dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
/m.q/j.p/r.e/