ILD kërkon “vërejtje publike” për gjyqtaren në Berat për përllogaritje të gabuar të dënimit

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin disiplinor me iniciativë ndaj gjyqtares L. Zh., me detyrë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për shkeljen disiplinore lidhur me mënyrën e përllogaritjes së periudhës së dënimit për një shtetas të dënuar.
Nga hetimi disiplinor i ILD, rezultojnë veprime dhe mosveprime të gjyqtares L. Zh., të cilat përbëjnë shkelje disiplinore.
Konkretisht sipas ILD-së, në shqyrtimin e kërkesës për bashkimin e dënimeve të një të dënuari, gjyqtarja nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë dispozitat ligjore lidhur me përllogaritjen e pjesës së pavuajtur të dënimit, si dhe me njohjen e periudhës së paraburgimit të vuajtur jashtë territorit të Shqipërisë për qëllime ekstradimi.
Gjithashtu, sipas ILD-së, shkelja e kryer nga magjistratja L. Zh. ka ndikuar në privimin e lirisë së të dënuarit për një periudhë të gjatë kohe, për një periudhë të gjatë kohe, përtej datës në të cilën, sipas përllogaritjes së evidentuar në hetimin disiplinor, dënimi duhej të kishte përfunduar.
ILD, thekson shkelja e magjistrates ka cenuar një të drejtë themelore të të dënuarit dhe gjithashtu edhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
“Veprimet dhe mosveprimet e konstatuara të magjistrates krijojnë rrezikun e përsëritjes së standardeve të gabuara në çështje të ngjashme, që lidhen me bashkimin e dënimeve dhe ekzekutimin e tyre, duke krijuar mundësi për cenimin e lirisë së personave të tjerë të dënuar”, njoftoi ILD.
Nga hetimi i ILD-së nuk rezulton që magjistratja të ketë vepruar me dashje apo me neglizhencë të rëndë, por ka vepruar nga pakujdesia dhe mungesa e kujdesit të duhur profesional. Ajo ka administruar në thelb provat e nevojshme dhe është përpjekur të arsyetojë vendimmarrjen e saj mbi bazën e dispozitave ligjore përkatëse, ndonëse analiza juridike e kryer prej saj ka rezultuar e paplotë.
Në vlerësimin e përgjegjësisë disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka marrë në konsideratë natyrën dhe rrethanat e shkeljes, shkallën e fajësisë, pasojat e ardhura, rrezikun e krijuar, përvojën profesionale të magjistrates, mungesën e masave disiplinore të mëparshme, si dhe qëndrimi i saj bashkëpunues gjatë procesit të hetimit disiplinor.
Në këto rrethana, ILD vlerëson se shkelja e kryer përbën “Shkelje të lehtë disiplinore” dhe pranoi kërkesën për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares L.Zh. dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Vërejtje publike”.
/m.q/j.p/r.e/