E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy persona në Tiranë, u sekuestrohet kokainë, peshore elektronike dhe automjet

Policia e Tiranës ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta dhe ka vënë në pranga dy persona.

Pas informacioneve se një shtetas shpërndante lëndë narkotike në zonën e Vorës, efektivët e policisë vijuan kontrollet me fokus identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij.

Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. D., 48 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe R. K., 41 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Në vendin e quajtur “Nënkalimi i Marqinetit”, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin Sh. D. dhe pasagjer shtetasin R. K. Gjatë kontrollit të automjetit dhe më pas të banesës së 48-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë dhe 2 peshore elektronike.

Nga veprimet hetimore dyshohet se Sh. D., pasi siguronte lëndën narkotike të llojit kokainë, e ndante atë në doza dhe e shiste në sasi të vogla në zonën e Vorës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›