Arrestohen dy pronarë në Ish-Doganë, dyshohet se mbajtën peng kliente

Një konflikt për një frigorifer banak ka përfunduar me arrestimin e dy pronarëve të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, në Tirane.
Në pranga kanë përfunduar Sefedin Ahmetaj 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj 41 vjeçe, të cilët dyshohet se privuan nga liria një kliente e cila e kishte blerë pajisjen në dyqan por ishte kthyer me pretendimin se frigoriferi nuk punonte dhe kësisoj kërkonte rimbursimin e plotë. Kërkesa për kthimin e parave është refuzuar nga pronarët dhe situata ka dalë jashtë kontrollit.
Sipas burimeve, klientja është mbajtur kundër vullnetit të saj brenda ambienteve të biznesit për gati dy orë dhe është dhunuar.
Në vendngjarje ka ndërhyrë policia, por edhe aty situata është tensionuar. Dy pronarët dyshohet se kanë kundërshtuar efektivët, ndërsa Edjola Harunaj akuzohet se i ka shkaktuar punonjësit të policisë djegie në dorë me cigare.
Pas ngjarjes, të dy pronarët u arrestuan, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e konfliktit.