E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen masakruesit

Pas 11 vjetësh të vrasjes së vëllait, Rexhë Kelmendi nga Qyshku i Pejës thotë se tashmë ndjehet më i lehtësuar nga dhimbja që kishte për të. Dita e shtunë për këtë banor të Qyshkut, ishte një ndër ditët më të lumtura që prej kohës së luftës në Kosovë.
Në mëngjesin e kësaj dite ai kishte marrë lajmin nga një kushëri i tij se më në fund janë arrestuar disa nga paramilitarët serbë që akuzohen për vrasjen e vëllait të tij dhe 46 bashkëfshatarëve të tjerë.

“Nuk e di hala a është e vërtetë apo jo. Nuk po më besohet se ka ndodhur diçka e tillë. Qe 11 vjet kurrë asnjë lajm nuk është dhënë për ta, e as nuk ka dhanë askush llogari për krimet që kanë ba në fshatin tonë. Edhe hetuesit e EULEX-it qe disa herë po vijnë në fshat për të na intervistuar, po kam mendu që vetëm po vijnë të na maltretojnë”, thotë Kelmendi.

Ai ishte një ndër tre personat fatlumë që patën fatin t’i shpëtonin masakrës së serbëve në mëngjesin e 14 majit të vitit 1999.
Kelmendi tregon se duke kërcyer nga dritarja, i kishte ikur vdekjes në momentet e fundit, kur shtëpia në të cilën ishte së bashku me tetë fshatarë të tjerë të vrarë, kishte filluar të digjej.

“Për të gjithë atë masakër të madhe që u ba në këtë vend, shpresoj që më në fund, edhe pse vonë, drejtësia do të vihet në vend dhe do të lehtësohen dhimbjet e familjeve tona”, thotë ai.

Për të konfirmuar nëse lajmi që kishte dëgjuar ishte i vërtetë, në qendër të fshatit ku edhe gjendet përmendorja e martirëve të vrarë, kishte dalë edhe plaku 85 vjeç, Sali Gashi.
Në masakrën e Qyshkut, ai kishte humbur 15 kushërinj të tij, në mesin e tyre edhe katër djem të vëllait.
Arrestimi i nëntë serbëve të akuzuar për këto krime lufte, për këtë të moshuar nuk është veprim i mjaftueshëm.

“Atë ditë kur na kanë tubu burrat e fshatit, ka pas një grumbull të madh të paramilitarëve. Disa kanë pasë maska në ftyrë se janë mshefë mos me i njoftoë na, se i kemi pasë kojshi, e ata që kanë ardhë prej Beogradit nuk kanë pasë maska. Ka pasë diku rreth 30 veta, e tash po i arrestojnë vetëm nëntë prej tyre. Kjo nuk mjafton, duhet krejt ata m’u përgjigj për atë se çka na kanë ba”, thotë me mllef 85-vjeçari nga Qyshku.

Në masakrën e 14 majit, në mesin e personave të vrarë ishte edhe babai i ish-kryeministrit Agim Çeku.
Arrestimet e bëra lidhur me këtë rast, ish-kryeministri Çeku i sheh me dyshim nëse në të vërtetë autoritetet e Serbisë kanë vendosur të luftojnë krimin.

“Çka do të qëndrojë prapa këtij veprimi, është për t’u përshëndetur. Është një lehtësim për familjarët e viktimave të Qyshkut dhe është një mundësi që të zbardhet dhe të shihet qartë para opinionit botëror përmasa e masakrës së 14 majit. Dyshoj se prapa kësaj qëndron vullneti i mirë i autoriteteve të Serbisë që të ballafaqohen me krimin, por është një veprim politik për përfitime politike. Këta kriminelë janë të njohur që nga ‘99-a e kanë shëtitur të lirë deri më sot. Janë 26 të akuzuar, e vetëm nëntë prej tyre të arrestuar”, thotë Çeku.

Ai beson se rruga më e mirë që autoritetet serbe do të bënin, do të ishte kërkim-falja publike ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Derisa Serbia nuk u kërkon falje publike qytetarëve të Kosovës për krimet që i ka bërë, derisa nuk distancohet nga e kaluara e keqe e vet, nuk mund të besohet se janë seriozë për të çuar drejtësinë deri në fund”, shprehet Çeku.

Të shtunën, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi, njoftoi se janë arrestuar nëntë paraushtarakë, të akuzuar për vrasjen e rreth 200 shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Prokurori Bruno Vekariq tha se gjithsej 26 pjesëtarë të trupave serbe akuzohen për masakrën e Qyshkut, në maj të vitit 1999. Sipas tij, shumica e të akuzuarve ndodhen jashtë Serbisë. Të arrestuarit dyshohen për përgatitjen e sulmeve të armatosura dhe akte individuale të dhunës, kërcënime, vrasje etj. Sipas kësaj prokurorie, lënda në fjalë është pjesë e aksionit më të gjerë që lidhet me ngjarjet në Kosovë, gjatë të cilave thuhet se janë vrarë më shumë se 200 civilë.

Ndërkohë, mediet serbe raportojnë se bëhet fjalë për pjesëtarë të formacionit paraushtarak “Çakej”, të Mbrojtjes Territoriale dhe Njësisë Rezervë të Policisë, të cilëve u ka prirë krimineli Nebojsha Miniç.
Lidhur me këto arrestime, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka deklaruar për mediet se sulmi në Qyshk kishte qenë ‘i planifikuar dhe i organizuar mirë’.
Ajo shpreson se pas këtyre arrestimeve do të ketë edhe persona të tjerë që do të përballen me drejtësinë.

“Por, shpresoj se zyra e Prokurorisë ka lëshuar fletarrestime, jo vetëm për anëtarët e rëndomtë të grupeve paramilitare, por që në mesin e të arrestuarve të jetë edhe ndokush që ka mbajtur pozitë të lartë, meqë krimet në Qyshk, Zahaç dhe Pavlan janë krime të tmerrshme, sepse njerëzit janë vrarë e më pastaj u janë djegur trupat. Kanë qenë vrasje brutale”, thotë Kandiq.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›