Arrestohen në Morinë dy shtetas të Kosovës, në kërkim në Gjermani - ATSH -
TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Dy shtetas kosovarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për vjedhje me dhunë dhe dëmtim prone, janë kapur nga Policia Kufitare në Morinë, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Në kuadër të operacionit “Wanted”, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë arrestuan shtetasit me iniciale G. M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri, Kosovë.
Sipas Policisë, dy shtetasit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi Gjykata e Erfurtit, Gjermani, më 1 qershor 2026, i ka dënuar me nga 15 vite burgim secilin për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal gjerman.
Policia bën të ditur se kontrollet në pikën kufitare të Morinës po vijojnë në mënyrë intensive, bazuar në analizën e riskut, me qëllim kapjen e personave në kërkim, si dhe parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, po vijon procedurat për finalizimin e ekstradimit të dy shtetasve drejt Gjermanisë.
/gj.m/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
