E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen në Rusi dhe Itali me qëllim ekstradimi dy pjesëtarë të rrjeteve kriminale ndërkontinentale

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, dy pjesëtarë të rrjeteve kriminale ndërkontinentale të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia bëri me dije se u arrestua S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu në pranga u vu edhe Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas policisë, nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare. Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qëndrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra i shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.

Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve në Shqipëri.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›