E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Goran Haxhic i shumekerkuari i fundit serb

Arrestohet i shumëkërkuari I fundit për krime lufte në ish- Jugosllavi, Goran Haxhiç. Ish- lideri i serbëve të Kroacisë, përgjegjës për masakrën e Vukovarit e ndodhur në 1991 dhe ku gjetën vdekjen 264 persona,  ndodhej në arrati prej 8 vjetësh. Presidenti Boris Tadic konfirmoi arrestimin kur në një konferencë për shtyp deklaroi se ai “u arrestua në rajonin Fruske Gore”.

Arrestimi i Haxhic, vetëm dy muaj pas vënies në pranga të ish- gjeneralit të serbëve të Bosnjes Ratko Mlladic, është një pengesë më pak në rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Haxhiç u akuzua në 2004 për krime lufte kundër njerëzimit, përfshi këtu dhe akuzat për “persekutim për shkaqe politike, raciale dhe fetare, shfarosje, vrasje, torturë, deportim dhe dëbime të detyruara”. Ai jetonte prej 8 vitesh në arrati, pavarësisht presionit ndërkombëtar mbi autoritetet serbe për arrestimin e tij.

Zyrtarët serbë janë akuzuar shpesh ndër vite se nuk po punon mjaftueshëm për të vënë në pranga të kërkuarit për krime luftë nga gjykata e Hagës. Kjo çështje bllokoi madje edhe kërkesën e Serbisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, aspiratë që pas arrestimit të Haxhic pritet të realizohet brenda vitit.

Më shumë se 10 mijë njerëz vdiqën në luftën e Kroacisë e cila përfundoi kur Zagrebi rimori territoret e zaptuara nga serbët në 1995.  (/AP)

Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 20 korrik 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›