Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se dhunoi 2-vjeçarin në kopshtin privat

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, informon se specialistët për hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B. H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte.
Sipas medieve, denoncimi në polici është bërë nga babi i fëmijës pasi ka parë shenjat e dhunës në fytyrën e 2-vjeçarit.
I mituri, sipas të atit kishte një të nxirë tek faqja dhe shenja skuqje tek veshët.
Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje 32-vjeçarja ka deklaruar se fëmijën e ka gjuajtur me shpullë pasi nuk po e zinte gjumi dhe nuk po e duronte dot.
Sipas burimeve, edhe nga pamjet filmike ka rezultuar që edukatorja 32-vjeçare ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës 2-vjeçar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/e.i/a.f/r.e/