SPAK bën bilancin e 7 muajve: 16 zyrtarë të hetuar, sekuestrohen pasuri me vlerë 440 milionë euro

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar publikoi sot rezultatet kryesore të veprimtarisë institucionale për periudhën 1 janar–15 korrik 2026.
Gjatë kësaj periudhe, SPAK bëri me dije se ka përfunduar hetimet për 183 procedime penale. Në kuadër të pesë procedimeve penale, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, gjykata ka vendosur masa sekuestroje preventive mbi pasuri me vlerë të vlerësuar paraprakisht në rreth 440 milionë euro.
Pasuritë mbi të cilat është vendosur masa e sekuestros përfshijnë: mbi 150 mijë m² toka, troje dhe pyje; më shumë se 60 vila, apartamente dhe struktura hoteliere; më shumë se 10 shoqëri tregtare, së bashku me kuotat e kapitalit dhe asetet e tyre; më shumë se 620 llogari bankare; rreth 100 automjete dhe mjete lundruese. Sipas SPAK, masa e sekuestros preventive nuk përbën konfiskim përfundimtar.
Braho, u shpreh se “kemi bërë progres të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë kësaj gjysme të parë të vitit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Prokurorët dhe hetuesit tanë vazhdojnë të punojnë çdo ditë në hetimin e çështjeve, gjithmonë duke u mbështetur në prova dhe fakte. Siç e tregojnë edhe shifrat, kemi shënuar progres, por mbetet ende punë për të bërë. Çështjet në hetim, në të shumtën e rasteve, janë komplekse dhe kërkojnë kohën e nevojshme për përfundimin e hetimit”.
Gjatë periudhës 1 janar – 15 korrik 2026, SPAK ka përfunduar hetimet në 183 procedime penale, ose 64,9% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin përfunduar 111 procedime.
SPAK njoftoi se numri i procedimeve aktive u reduktua nga 616 në fillim të vitit në 551 më 15 korrik 2026, duke shënuar një ulje me 65 procedime, ose 10,6%, ku përfshihen edhe procedimet e reja penale.
Sipas SPAK, krahasuar me 15 korrikun 2025, kur ishin aktive 655 procedime penale, stoku i procedimeve në hetim është ulur me 15,9%.
“Një nga rezultatet kryesore të periudhës është përshpejtimi i trajtimit të procedimeve të regjistruara gjatë viteve 2019–2021. Nga 108 procedime të kësaj kategorie që ishin aktive në fillim të vitit 2026, deri më 15 korrik janë përfunduar 63, me një normë zgjidhshmërie prej 58,3%”, njoftoi SPAK.
Gjatë periudhës raportuese, SPAK bëri të ditur se ka dërguar për gjykim 34 çështje të reja me 228 persona të pandehur.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i çështjeve të dërguara për gjykim u rrit me 41,7%, nga 24 në 34.
Sipas SPAK, në të njëjtën kohë, numri i personave të pandehur në çështjet e dërguara për gjykim u rrit nga 169 në 228.
Më 1 janar 2026, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë ndodheshin në gjykim 66 çështje penale të mbartura nga viti 2025. Së bashku me 34 çështjet e reja, volumi i përgjithshëm i çështjeve të trajtuara në gjykim në shkallën e parë arriti në 100 procedime penale.
Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2026, SPAK ka hetuar 13 procedime penale që përfshijnë 16 zyrtarë ose ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe drejtues institucionesh.
Sipas SPAK, mes personave të përfshirë në këto hetime janë: 5 kryetarë ose ish-kryetarë bashkie; 5 drejtues ose ish-drejtues të institucioneve qendrore; 3 gjyqtarë, ish-gjyqtarë ose prokurorë; 2 ministra ose ish-ministra; 1 deputet.
Në çështjet e dërguara për gjykim gjatë kësaj periudhe përfshihen 12 zyrtarë ose ish-zyrtarë të nivelit të lartë, krahasuar me 9 në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Gjatë periudhës raportuese kanë përfunduar gjykimin dhe ka vënë në ekzekutim vendime dënimi të formës së prerë ndaj 74 personave.
Mes personave të dënuar janë 7 ish-zyrtarë të nivelit të lartë: 2 ish-kryetarë bashkie; 1 ish-ministër; 2 ish-deputetë; 2 ish-prokurorë.
Nga 74 personat e dënuar, 48 janë dënuar me burgim. Për 25 persona është vendosur pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vendosja në periudhë prove, ndërsa për një person dënimi është konvertuar në punë në interes publik.
Gjykatat kanë vendosur edhe dënime plotësuese ndaj 24 personave. Prej tyre, 22 personave u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike, ndërsa dy personave u është hequr e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit.
Gjatë periudhës raportuese, SPAK bëri të ditur se ka pasur në hetim 550 persona.
Sipas SPAK, më 15 korrik 2026, 59 prej tyre, ose rreth 10,7%, ndodheshin nën masën e sigurimit “arrest në burg” në fazën e hetimeve paraprake.
Në kuadër të 18 procedimeve penale, Gjykata e Posaçme ka caktuar 97 masa sigurimi ndaj 94 personave.
Masat e sigurimit, sipas SPAK, lidhen edhe me hetime ndaj shtatë grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe disa prej tyre me fuqi tepër të lartë financiare.
SPAK njoftoi se bashkëpunimi ndërkombëtar ka mbështetur drejtpërdrejt hetimet për trafik ndërkombëtar të narkotikëve, pastrim parash, trafik armësh, trafikim personash, korrupsion dhe mashtrim kompjuterik.
Gjatë periudhës raportuese, SPAK ka dërguar 107 kërkesa për ndihmë juridike drejt autoriteteve të huaja dhe ka trajtuar 40 kërkesa të ardhura nga jashtë vendit.
Nga kërkesat e ardhura, 18 janë ekzekutuar, ndërsa 22 vijojnë të jenë në proces.
Gjatë periudhës janë krijuar gjashtë skuadra të reja të përbashkëta hetimore dhe është dakordësuar krijimi i dy skuadrave të tjera.
Në total, SPAK ka 33 skuadra të përbashkëta hetimore aktive, të përqendruara kryesisht në hetimet për trafik narkotikësh, pastrim parash, trafik armësh, trafikim personash dhe mashtrim kompjuterik.
Në të njëjtën periudhë, 36 persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për ekzekutimin e masave të sigurimit ose të vendimeve penale të formës së prerë.
/m.q/a.f/r.e/