E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet ekzekutori i Bllokut, vrau Zenelin për gjakun e vëllait

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 30-06-2011 11:31

Tiranë- Ka pritur 7 vjet në heshtje për të marrë gjakun e të vëllait, duke realizuar goditjen fatale në mes të ish-Bllokut. Policia e Tiranës ka zbardhur pas 16 ditësh vrasjen e Nadien Zenelit, duke çuar në pranga të afërmin e bashkëshortes së tij Marklen Haka. 22-vjeçari nga fshati Nikël i Fushë-Krujës akuzohet si autor i vrasjes së Zenelit dhe plagosjes së dyfishtë, për një motiv që në hetimet paraprake dukej i largët për policinë. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, bëri të ditur se Haka është arrestuar gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. “Autori dyshohet se më datë 13 qershor të këtij viti, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, që për arsye hetimi nuk mund të bëhen publikë, ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë mbi Nadien Zenelin, duke e vrarë atë, si dhe plagosur Bledar Mihën dhe Tafë Mandrin”, – tha Katragjini. Në bazë të hetimeve të kryera deri më tani, si motiv i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë gjakmarrja, pasi në vitin 2004 në qytetin e Krujës është vrarë Roland Haka, vëllai i të arrestuarit. Për këtë ngjarje, familja Haka dyshonte se kishte gisht është viktima Nadien Zeneli, megjithë marrëdhëniet e ngushta që ky kishte me familjen Haka. Kur kanë kaluar 7 vite nga ekzekutimi i Roland Hakës, policia nuk kishte ende asnjë të dyshuar për këtë ngjarje, gjë kjo që e rritur edhe më shumë ndjenjën e hakmarrjes te familjarët e Roland Hakës. Edhe pse në atë kohë Marklen Haka ishte vetëm 15 vjeç, ai nuk e ka harruar gjakun e vëllait dhe ka pritur 7 vjet për të eliminuar personin që dyshonte se e kishte nxjerrë në pritë të vëllanë. Policia e Tiranës bën të ditur se për këtë ngjarje është arrestuar edhe babai i Marklen Hakës, Lutfi Haka, 59 vjeç, ndaj të cilit u mor masa e arrestit për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Kjo masë shtrënguese u mor pas kontrollit të imtësishëm në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë automatike, mod.56 si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Nadien Zeneli, i njohur për lidhjet e tij me familjen Haka edhe për shkak të martesës me njërën prej vajzave të kësaj familjeje, u vra mbrëmjen e 13 qershorit 2011 në ambientet e lokalit “Baroque”, në zonën e ish-Bllokut, ku ishte në shoqërinë edhe të disa personave të tjerë. Autori i ngjarjes, i cili tashmë është identifikuar, është afruar pranë tavolinës ku ishte ulur Zeneli dhe ka zbrazur pistoletën, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme atij, si dhe duke plagosur dy personat e tjerë, që ishin në tavolinë me të. Menjëherë pas ngjarjes, u ngritën pista të shumta hetimesh, duke u nisur që nga lidhjet e tij me familjen Haka, e deri te konfliktet për arsye biznesi. Gjithashtu, në “sitën” e hetuesve kaloi dhe e shkuara e dyshimtë e tij, por hetuesit nuk e kishin menduar se do të ishin vetë Hakajt ata që kishin shkrepur këmbëzën, duke vrarë dhëndrin e tyre. Emri i Nadien Zenelit ka dalë gjatë hetimeve të vrasjes së dy policëve në Krujë, Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999. Këta të fundit akuzoheshin nga familja Haka, si autorë të vrasjes së vëllait të tyre, Enver Haka, por verifikimi i këtyre pistave i çoi agjentët e policisë drejt autorit të krimit, 22-vjeçarit Marklen Haka. Policia e Tiranës është vënë në ndjekje të dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë vrasje, të cilët janë identifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›