E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arrestohet gardiani, tentoi të fuste në burgun e Fushë-Krujës 22 celularë dhe doza kokaine

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë, përmes inteligjencës operative në sistemin e burgjeve ka parandaluar një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, punonjësi i rolit bazë, me inicialet H.Ç., gjatë ndërrimit të shërbimeve, me veprime aktive ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.

Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, zona është rrethuar dhe është siguruar vendi i ngjarjes për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Janë njoftuar menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Pas mbërritjes së autoriteteve përkatëse, pakot janë hapur dhe brenda tyre janë gjetur: 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje), 3 doza kokainë dhe 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone.

Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.

“Lidhur me këtë ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e juridiksionit përkatës, po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe autorëve të tjerë të mundshëm”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i hetimeve të deritanishme, punonjësi i rolit bazë, H.Ç., është arrestuar në flagrancë si i dyshuar për veprat penale “Futja e sendeve të ndaluara” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›