E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hado pret përfaqësues të ISSA-s, diskutohen çështje strategjike për zhvillimin e sistemit të sigurimeve shoqërore

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, (ISSH), Astrit Hado priti sot në një takim përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA), ku ISSH është anëtare prej vitesh.

Kreu i ISSH-së, Hado bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua lidhur me bashkëpunimin institucional për përmirësimin e shërbimeve duke adresuar çështje strategjike për zhvillimin e sistemit të sigurimeve shoqërore.

Në takim morën pjesë sekretari i përgjithshëm i ISSA-së, Marcelo Abi-Ramia Caetano, kordinatorja rajonale për Europën pranë ISSA, Marjorie Lestienne, si dhe përfaqësues të tjerë të ISSA.

Përfaqësuesja e ISSA bëri një prezantim mbi rolin dhe funksionimin e ISSA, duke mundësuar një njohje më të thellë të organizatës dhe angazhimeve të saj.

Ky takim shërbeu për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin mes ISSH dhe ISSA, për të krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e eksperiencave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Qeveria ka nisur në bashkëpunim me Bankën Botërore punën për përmirësimin e skemës së sigurimeve shoqërore, me qëllim rritjen e pensioneve në vend.

Në reformën e re po analizohen disa faktorë, të tillë si ndikimi i ndryshimeve demografike në qëndrueshmërinë financiare, plakja e popullsisë, përballja me flukse emigracioni, rritja e jetëgjatësisë dhe rënia e lindshmërisë.

Njëkohësisht edhe ndryshimet në tregun e punës për shkak të ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe për shkak të daljes së profesioneve të reja.

Deri në hartimin e reformës së re, qeveria po mbështet pensionistët me bonuse. Nga një bonus që shpërndahej në fund të vitit, tanimë pensionistët do të marrin një tjetër bonus edhe në pranverë. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›