Arrestohet hajduti në Sarandë, kamerat e sigurisë fiksuan 36 vjeçarin duke vjedhur në biznese

Një 36-vjeçar u arrestua nga policia e Sarandës, i akuzuar për vjedhje.
Sipas policisë, ai ka vjedhur një ditë më parë një shumë parash në dy biznese në Ksamil. I riu është fiksuar nga kamerat e sigurisë.
36-vjeçari ishte në kërkim edhe për një tjetër vjedhje të kryer më 22 shkurt, kur ka shkuar në një karburant për të furnizuar një makinë që kishte marrë me qira, por është larguar pa bërë pagesën.
Njoftimi:
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një pune intensive dhe analizimit të provave të siguruara, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit A. Z., 36 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar si autor i disa vjedhjeve në Sarandë dhe i shpallur në kërkim për një rast të vjedhjes me anë të mashtrimit në një karburant.
Konkretisht, ky shtetas dyshohet se:
- Më 28.02.2025, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në dy subjekte tregtare në Ksamil.
- Gjithashtu, ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja me anë të mashtrimit”, pasi më 22.02.2025, në një karburant në fshatin Çlirim, bashkia Finiq, është paraqitur me një automjet të marrë me qira, të cilit i kishte mbuluar targën, e ka furnizuar me naftë dhe është larguar pa kryer pagesën.
✅ Në Vlorë, identifikohet dhe shpallet në kërkim 37-vjeçari për një rast vjedhjeje dhe një tentativë vjedhjeje në dy subjekte tregtare.
Ndërkohë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, pas veprimeve hetimore, dokumentuan një rast të vjedhjes dhe një rast të tentativës së vjedhjes në dy subjekte tregtare në qytetin e Vlorës. Si rezultat, u shpall në kërkim shtetasi D. B., 37 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si autor i këtyre rasteve, konkretisht:
- Më 25.02.2025, dyshohet se ka tentuar të hyjë me forcë për të vjedhur në një subjekt tregtar në lagjen “Pavarësia 3”.
- Më 27.02.2025, dyshohet se ka vjedhur disa materiale elektrike, në një subjekt tregtar në lagjen “Pavarësia 2”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme. /vizionplus.tv