E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet “kaçaku”, i gjuajti policët me armë

(E plotësuar) Sot rreth orës 08:00, policia ka arrestuar një person të dyshuar i cili gjendej në arrati që prej qershorit të vitit të kaluar.

“I dyshuari A.S 46 vjeç, dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në dy raste te vrasjeve në tentativë, dy raste të armëmbajtjeve pa leje, një rast kanosje si dhe një rast lëndim trupor, vepra këto të ndodhura në muajin qershor dhe shtator të vitit 2012”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

I dyshimti me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes dhe i njëjti do të dërgohet në gjykatën kompetente pas përfundimit të procedurave të nevojshme hetimore./Indeksonline/

------

I shumë kërkuari prej disa muajve, Azem Sahiti, ka përfunduar në pranga të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Ai dyshohet se para disa muajve ka kryer një plagosje dhe ka shtënë më armë zjarri në drejtim të Policisë.

Burimet e Indeksonline, brenda Policisë së Kosovës kanë deklaruar se arrestimi ka ndodhur sot rreth orës 08:00, në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Forca të mëdha policie të njësisë speciale kanë kryer operacionin pas një hetimi të gjatë.

I dyshuari Azem Sahiti për një kohë të gjatë kishte qëndruar në malet e Zllashit si “kaçak” dhe dy ditë pasi që kishte shkuar në shtëpinë e tij në Hajvali, ka përfunduar në pranga.

Sahiti në këto momente është në lokalet policore në Prishtinë duke u intervistuar nga hetuesit rajonal./Besa Qerreti/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›