Arrestohet mjeku kirurg në Korçë pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare

Një mjek kirurg është arrestuar në Korçë, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare. Arrestimi i mjekut 72-vjeçar me inicialet N.N., u krye menjëherë pas denoncimit të së resë, e cila ndodhet e shtruar në spital pas një operacioni për apandesit.
Gazetarja Eftjola Fili raportoi për RTSH se, sipas dëshmisë së 21-vjeçares, gjatë kontrolleve mjekësore kirurgu dyshohet se e ka prekur në pjesë intime me pretendimin e ekzaminimit dhe ka tentuar ta puthë në disa raste.
E reja, e cila jeton në Gjermani dhe kishte ardhur në Korçë për vizitë, ka deklaruar se nuk ka prova filmike pasi mjeku i kërkonte të linte telefonin jashtë dhomës së mjekimit.
Policia e Korçës mori dëshminë e pacientes në ambientet e spitalit dhe më pas shoqëroi mjekun, duke proceduar me arrestimin e tij. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Mjeku rezulton të ketë qenë më parë i arrestuar për mitmarrje, ndërsa çështja e mëparshme ndodhet ende në fazë hetimi.
/rtsh.al/