Arrestohet në Firence Jetmir Llani, tregon foton e të birit: Nuk rron më

Jetmir Llani pas arrestimit dhe Viktima Gentian Shkreta
FIRENCE – Arratisë së Jetmir Llanit, i shumëkërkuar për atentatin ndaj vëllezërve Shkreta 3 javë më parë, i jepet fund në qytetin italian të Firences. Asnjë rezistencë nga ana e 33-vjeçarit kur forcat e Sektorit të Krimit të Huaj i dolën para në hyrje të një metroje, në rrugën “Belfiore”. Llani nuk ka bërë asnjë rezistencë, por vetëm ka nxjerrë nga xhepi foton e djalit 9-vjeçar të vrarë në atentatin e 5 qershorit në Mamurras, duke thënë: Nuk jeton më. Dosja ndaj Jetmir Llanit ishte transportuar nga Policia shqiptare në shtetin fqinj, pas të dhënave se ai mund të ishte arratisur drejt Italisë pas ekzekutimit në pritë më 4 nëntor të Gentian Shkretës dhe plagosjes së të vëllait, Aurel Shkreta, vëllezër të dy personave që mbahen në burg për vrasjen e djalit të Jetmir Llanit. Sipas Policisë italiane, pala shqiptare ishte në dijeni të faktit se Llani kishte miq në kryeqendrën e Toskanës, madje dhe një të afërm me të cilin ishte shumë i lidhur, çka hodhi dyshimet se ai strehohej pikërisht në Firence. Dyshohet se drejt Italisë ai ishte “arratisur” ilegalisht. Burime nga Policia e Shtetit thanë se nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, për lëvizjet nëpër pikat kufitare, 33-vjeçari Llani rezulton ende në Shqipëri. Por, faktet flasin ndryshe, pasi ai dy ditë më parë u arrestua në Firence të Italisë, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Të njëjtat burime konfirmuan se fakti që në TIMS nuk rezulton asnjë lëvizje e tij pas datës 4 nëntor, kur dyshohet se vrau një nga vëllezërit Shkreta dhe plagosi tjetrin, konfirmon arratisjen e tij në mënyrë ilegale jashtë Shqipërisë. Por, nuk përjashtohet mundësia që 33-vjeçari mund të ketë udhëtuar edhe me ndonjë pasaportë false, megjithëse deri tani ende nuk është zbuluar nëse ka kryer falsifikim apo jo. Jetmir dhe Muharrem Llani janë shpallur në kërkim prej datës 5 nëntor, kur i mbijetuari i atentatit, Aurel Shkreta, tregoi për policinë se kush ishin autorët. Vetë Jetmir Llani nuk e pranoi këtë akuzë, duke u shprehur në media se ai nuk merrte hak për të birin mbi persona të tjerë, por vetëm mbi dy vëllezërit Shkreta që qëlluan mbi djalin e tij. Ndaj tij u ngrit dhe dyshimi se ishte autor i vrasjes së Mark Shkretës në Tiranë, në korrik të këtij viti dhe shpërthimit me tritol në banesën e familjes Shkreta në fshatin Shpërdhet të Fushë-Mamurrasit, por policia nuk gjeti prova për ta mbajtur të arrestuar.