E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Rrogozhinë, bllokohen 100 kg kanabis

Droga e bllokuar dje në Tiranë

TIRANE – Tre të rinj u arrestuan në afërsi të Rrogozhinës gjatë një operacioni të Sektorit të Antikrimit të Organizuar të Kavajës, pasi u kapën me 100 kilogramë kanabis në bagazhin e makinës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se të arrestuarit janë Leonard Rraçi, 34 vjeç, i dënuar edhe më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, Ervin Xhavara, 28 vjeç dhe Agim Hodo, 28 vjeç, të tre nga Përmeti. Të njëjtat burime konfirmuan se sasia e bimës narkotike po transportohej nga Përmeti, në drejtim të Tiranës, ku një pjesë do të hidhej për shitje në tregun e kryeqytetit, ndërsa pjesa tjetër kishte si destinacion trafikun jashtë Shqipërisë. Në momentin e kontrollit të automjetit tip “Hundai” dhe “Benz”, me targa greke, u zbuluan disa thasë të bardhë të mbushur me hashash. Një postbllok policie, që ishte vënë në dijeni nga grupi hetimor për vendin dhe kohën nga do kalonin dy automjetet e të dyshuarve, ishte pozicionuar në rrugën që lidh Rrogozhinën me Kavajën. Policia ka ndërhyrë në momentin që ka marrë urdhrin e drejtuesit të operacionit, duke i bërë shenjë fillimisht për ndalimin e mjeteve, më pas është ushtruar kontrolli. Sasia e bimës narkotike u zbulua në mjetin ku udhëtonin shtetasit Leonard Rraçi dhe Ervin Xhavara. Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë verifikimeve që kishin nisur prej disa javësh ndaj tre personave të arrestuar, por edhe disa të tjerëve që ende nuk janë identifikuar, rezultoi se kjo sasi droge kishte destinacion kryesisht trafikimin në vendet fqinje me Shqipërinë, por edhe shitjen në Tiranë. Policia e kryeqytetit tha dje se operacioni ende nuk ka përfunduar, pasi vazhdon puna për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet trafiku dhe shpërndarjeje të lëndëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi sasinë prej 100 kilogramësh hashash, dy automjetet dhe disa telefona të të arrestuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›