Arrestohet në SHBA shkodrani, vrau 3 persona në Shqipëri në 2000

Në foto Valentin Ftoni
Arrestohet në Nju-Jork një 52-vjeçar, i dënuar në Shqipëri dy herë me nga 25 vjet burgim, për vrasjen e 3 shtetasve në Shkodër.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve ligjzbatues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ndaluar në Nju-Jork, SHBA, shtetasi shqiptar Valentin Ftoni, 52 vjeç.
Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë për Krimet e Rënda dhe Njësisë së Përbashkët të Shërbimeve Investigative, në bashkëpunim me agjencinë federale amerikane DSS/OCIU, të pranishme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ka koordinuar në vazhdimësi veprimet me dy agjenci të tjera federale amerikane, USMS (Shërbimi i Marshallëve të Shteteve të Bashkuara) dhe ICE (Agjencia e Emigracionit dhe Doganave), për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Valentin Ftoni.
Ftoni ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001, pasi është dënuar dy herë me nga 25 vjet burgim për 3 vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës.
Sponsorizuar
Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, shtetasi Valentin Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin e SHBA-së. Gjithashtu, dyshohet se në këtë shtet ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.
Më datë 28.09.2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 19.09.2000, në Ças, Velipojë, ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje.
Gjithashtu, më datë 18.11.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 12.08.2001 ka vrarë shtetasin G. T. a.b