DETAJET/ Ekzekutim me tritol në Gjirokastër, humb jetën Beqir Devolli, i plagosur Rigels Mela

Ka humbur jetën Beqir Devolli, 45 vjeç, drejtuesi i automjetit tip “Benz” që shpërtheu mbrëmjen e së shtunës në Gjirokastër, në afërsi të Drejtorisë së Policisë. Ai ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Tiranës.
Nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe pasagjeri, Rigeld Mela, 26 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor dhe ekspertëve kriminalistikë të ardhur nga Tirana, dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur brenda kabinës së automjetit dhe mund të jetë aktivizuar në distancë nga persona që kanë ndjekur lëvizjen e tij.
Ende nuk është përcaktuar nëse shpërthimi pranë Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës ishte planifikuar të ndodhte pikërisht në atë vend apo nëse kjo ishte rastësi.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Rigeld Melës i është djegur më herët një automjet në lagjen Dunavat, në pjesën e sipërme të qytetit. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për motivet apo autorët e asaj ngjarjeje dhe nëse ajo ka lidhje me shpërthimin e fundit.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve. Hetimet pritet të zbardhin rrethanat e shpërthimit dhe nëse kemi të bëjmë me një atentat të planifikuar.