Arrestohet një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet ekstradimi drejt Spanjës

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan arrestoi me qëllim ekstradimin drejt Spanjës një 41-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, kapën në rrugën e fshatit Papër, ndërkohë që qarkullonte me automjet, dhe arrestuan shtetasin E. B., 41 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Sabadellit (Spanjë), më datë 30 qershor 2025, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. B.
/m.m/r.e/