Arrestohet një gjerman për spiunazh në llogari të Turqisë

Policia greke thotë se ka zbuluar një rast spiunazhi në ishullin Hios dhe ka arrestuar një shtetas gjerman të akuzuar për spiunazh në llogari të Turqisë.
Sipas policisë, për më shumë se tre vjet, 72 vjecari gjerman i arrestuar, kishte fotografuar sistematikisht kampet ushtarake e aeroportet dhe iu kishte dhënë turqve informacion konfidencial, në lidhje me paraqitjen e forcave të armatosura greke, duke marrë deri në 1 500 euro për cdo mision.
Policia sqaron se 72 vjeçari, të paktën tre vitet e fundit kishte fotografuar projektet e infrastrukturës të Forcave të Armatosura dhe Organizimit Publik (si portet, urat, etj) në Hios dhe ua kishte dorëzuar materialin shtetasve turq, në këmbim të shpërblimit financiar.
Nga hetimet rezultoi se edhe javën e kaluar i kishte dërguar një e-mail tek marrësit, deri tani të panjohur, i cili përmbante të dhëna mbi luftanije greke dhe automjete ushtarake, të vendosura në ishull. Në të njëjtin mesazh përfshihej edhe informacioni për arrestimin nga autoritetet greke në zonën detare pranë Hios të dy shtetasve turq, të cilët u kapën në një skaf me një arsenal armësh.
Gjatë arrestimit të tij, 72 vjecari kishte me vete dy kamera dhe karta me fotot e kampeve të Hios. Në shtëpinë e tij në ishull policia gjeti dhe sekuestroi 3 laptopë, 2 kamera, 14 karta memorie, 5 USB, 5 harta turistike të Hios, 2 telefona celularë dhe 1 palë syze me kamera të integruar.
Shtetasi gjerman me banim në Hios gjatë katër viteve të fundit, u dërgua në prokurori për hetime të mëtejshme./Indeksonline/