E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet një i ri, dërgoi letra kërcënuese në ambasadën ruse

Share

Policia e Tiranës ka arrestuar natën e djeshme një person të akuzuar se ka dërguar letra kërcënuese në Ambasadën e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë. I arrestuari quhet Bledar Pojana dhe është rreth 26-27 vjeç. Lajmi është konfirmuar mbrëmjen e djeshme nga burimet e Komisariatit të policisë numër 2 në Tiranë, efektivët e të cilit kanë bërë edhe arrestimin.

Sipas burimeve të policisë, disa ditë më parë Ambasada e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë ka bërë një denoncim zyrtar në zyrën e anti-terrorit duke thënë se një person ishte paraqitur në derën e saj dhe kishte hedhur disa letra kërcënuese. Së bashku me denoncimin, përfaqësuesit e Ambasadës kanë dorëzuar në polici edhe kopje të letrave si dhe pamjet filmike të personit. Hetuesit nuk kanë pranuar që të bëjnë publik tekstin e letrave kërcënuese duke thënë se kjo është pjesë e sekretit hetimor. Ky është rasti i dytë i një denoncimi të tillë nga ana e Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë. Më datë një janar të këtij viti, përfaqësues të kësaj Ambasade janë paraqitur në policinë e Tiranës ku kanë denoncuar hedhjen e një fishekzjarri në oborrin e saj./shekulli

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›